Kosova dhe Serbia kanë këmbyer akuza gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku u diskutua për raportin për Kosovën të sekretarit të Përgjithshëm, Antonio Guterres.
Përderisa Serbia mohoi çdo përfshirje në sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë dhe tha se ngjarjet ishin rezultat logjik i “terrorit” ndaj serbëve, Kosova tha se më 24 shtator ishte “cak i agresionit nga Serbia”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë paraqitjes para Këshillit të Sigurimit të OKB-së, tha se Serbia dëshiron territor të Kosovës “por, nuk do ta marrë kurrë”.
“Ne duam paqe dhe Serbia e dëshmoi më 24 shtator se do luftë. Por, ne nuk do ta lejojmë të ndodhë kjo”, tha Osmani.
Sipas Osmanit, më 24 shtator plani ishte “destabilizimi i rajonit” të Ballkanit Perëndimor dhe jo vetëm i Kosovës.
Osmani tha se burimi kryesor i financimit, armatosjes dhe trajnimit të grupit të armatosur në Banjskë “është Republika e Serbisë”.
“Çfarë dëgjuam nga Serbia sot ishte minimizimi i aktit të agresionit ndaj Kosovës”, tha Osmani.
Presidentja e Kosovës iu drejtua me një mesazh serbëve që jetojnë në Kosovë, duke u thënë se Kosova është shtëpia e tyre.
“Konfirmoj se jemi të përkushtuar që të bëjmë më shumë për serbët në Kosovë. Por, ne nuk do t’i japim Serbisë instrumente përmes së cilave ata mund të shkatërrojnë jetën e serbëve që jetojnë në Kosovë dhe të vazhdojnë të tentojnë të shkatërrojnë sovranitetin dhe integritetin tonë territorial”, tha Osmani.
Ajo tha se Kosova është e përkushtuar për paqe dhe mbetet e angazhuar për dialogun për normalizimin e raporteve me Serbinë.
Ndërkaq, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, tha se Serbia nuk ka qenë e përfshirë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.
Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Bërnabiç tha se hetimet do të tregojnë se dy nga tre sulmuesit serbë që u vranë gjatë përleshjeve, janë “vrarë pasi janë dorëzuar”.
“Beogradi ose forcat e sigurisë, strukturat e sigurisë nuk kanë qenë të përfshirë në këtë ngjarje dhe jemi të gatshëm të ofrojmë dëshmitë te komuniteti ndërkombëtar për të vërtetuar këtë”, tha ajo, duke thënë se ngjarjet në Banjskë janë “pasojë logjike e terrorit që Prishtina ka zbatuar ndaj serbëve”.
Gjatë fjalimit para Këshillit të Sigurimit, Bërnabiç akuzoi Kosovën se injoron marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Bërnabiç, tha se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është kusht për zbatimin e marrëveshjeve të tjera nga Serbia.
“Asociacioni është një element i pashmangshëm për zbatimin e çdo marrëveshjeje tjetër”, tha ajo.
Kosova, sipas saj, ka tri mesazhe për serbët dhe komunitetin ndërkombëtar. Mesazhi i parë, sipas saj, serbët që janë larguar nga Kosova pas luftës më 1999 “nuk janë të mirëpritur” që të kthehen. Mesazhi i dytë, serbët që jetojnë në Kosovë “duhet të largohen” dhe mesazhi i tretë, “marrëveshjet e arritura nuk do të zbatohen”.
Sipas Bërnabiçit, që kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pushtetin dy vjet më parë, “11 për qind e serbëve janë larguar nga komunat” në veri të Kosovës.
Ajo akuzoi Kosovën për “fushatë të dhunshme” ndaj serbëve, duke pretenduar se vitin e kaluar kanë ndodhur mbi 400 incidente ndëretnike.