Vendosni fjalën kyçe....

Dy ditë pas akuzave të SPAK-ut ndaj Berishës, Gazment Bardhi njofton konferencën për shtyp


Dy ditë pas arrestimit të bujshëm të dhëndrit të ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, në aeroportin e Rinasit dhe bllokimin e pasaportës së kreut të Rithemelimit, gazment Bardhi ka njoftuar një konferencë për shtyp sot në orën   11 e 30.

Pas zhvillimeve të vrullshme të fundit, reagimet në mbrojtje të Berishës kanë qenë të shumta, megjithatë mes tyre u vu re një mungesë, ajo e Gazment Bardhit.

Përveç një pjese të deputetëve të Foltores, një reagim i fortë erdhi edhe nga kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili tha se gjithçka po bëhej për të shantazhuar opozitën.

Edhe kreu i PD-së Basha komentoi ngjarjet, edhe pse jo në mënyrë të drejtpërdrejtë. Ai tha nga Dibra se forca politike që drejton mbështet drejtësinë kundër i bërë thirrje që t’i japë fund pandëshkueshmërisë dhe të nxjerrë para ligjit të gjithë politikanët e korruptuar.

Gazment Bardhi, është afruar ndjeshëm kohët e fundit me grupin e Berishës. Fillimisht, pas shpalljes së Berishës non grata nga SHBA-ja, ai u shfaq në krah të kreut të Bashës duke e mbështetur këtë të fundit në ‘luftën’ disamujore me kreun e Rithemelimit.

Megjithatë pas dorëheqjes së Bashës rreth një vit më parë e më pas rikthimit të tij në krye të PD-së në zedhjet e 29 korrikut, marrëdhëniet mes tyre janë thyer.

Ndërkohë që Basha e shkarkoi si Sekretar të Përgjithshëm e kryetar të grupit parlamentar, Bardhi ka deklaruar se vendimet në fjalë nuk kishin asnjë fuqi ligjore dhe asnjë vlerë duke qenë se Basha nuk është kreu i PD-së dhe se aktualisht selia blu nuk e ka një të tillë.

Bardhi e ka sulmuar Bashën duke e akuzuar se po bën të njëjtën gjë si Berisha e po sillet si ai duke theksuar se nuk i njeh zgjedhjet e 29 korrikut në PD dhe asnjë nga vendimet e tij.

Përplasjet publike me Bashën në parlament e me deklarata publike u ashpërsuan sidomos pas takimit të grupit të Bardhit me grupin e Berishës, që dha sinjalin e një bashkëpunimi mes dy grupimeve.

Bardhi ka pohuar se me Berishën e ndan qenia e tij non grata nga SHBA-ja e Britania, megjithatë ka theksuar se ‘armiku’ i opozitës është Edi Rama e qeverisja e tij e për këtë arsye ka bërë thirrje për bashkim të të gjithë opozitës.

Në seancën e fundit në Kuvend, që zgjati vetëm 20 minuta pasi deputetët e Foltores bllokuan vendet ku uleshin ministrat.

Në deklaratat nga brenda sallës së parlamentit dhe jashtë saj, Bardhi ruajti të njëjtën linjë të ashpër të deklarata të Berishës duke paralajmëruar për përshkallëzim të aksionit opozitar.

Megjithatë pas arrestimit të Jamarbër Malltezit dhe bllokimit të pasaportës së Berishës, ai ende nuk ka bërë asnjë deklaratë publike.