Partitë opozitare në Kosovë kritikuan të hënën qeverinë për mospërfshirje të kërkesave të reja perëndimore lidhur me bisedimet me Serbinw, duke theksuar rëndësinë e bashkërendimit të saj me aleatët.
Të dërguarit evropianë dhe amerikanë për Ballkanin Perëndimorë qëndruan të shtunën në Prishtinë dhe në Beograd në përpjkeje për të ripërtërirë bisedimet, pas 24 shtatorit, kur një grup serbësh të armatosur sulmoi policinë e Kosovës në fshatin Banjskë në veri duke vrarë një oficer policie. Diplomatët dhe mikpritësit e tyre në Prishtinë dhe në Beograd njoftuan se ata kanë paraqitur një plan për rrugën përpara, por pa dhënë hollësi reth tij, shkruan VOA.
“Mendoj se gjëja e parë që kryeministri duhet të na e bëjë të qartë është pozicioni i tij që përfaqëson edhe vendin tonë, ta dijmë ku qëndron kryeministri jonë dhe ku qëndron kundruall këtyre kërkesave. Kjo është shumë e rëndësishme, ai e përbën shumicën, është titullar i qeverisë, udhëheq qeverinë dhe rrjedhimisht Republikën e Kosovës dhe për neve është shumë e rëndësishme të dijmë pozicionin e tij që nuk e dijmë ende”, tha Abelard Tahiri nga Partia Demokratike e Kosovës.
“Kosova duhet që të bashkërendojë politikën e vet strategjike me aktorët ndërkombëtar, posaçërisht amerikan dhe të Bashkimit Evropian. Detyrimet që i ka marrë duhet t’i realizoj por pa dëmtuar sovranitetin dhe interesin e vendit, për shkak se rrugëtimi ynë në NATO dhe Bashkimin Evropian është jetik për kombin tonë, për forcimin e subjkektivitetit ndërkombëtar të Kosovës por edhe sovranitetit tonë si vend”, tha Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se do të qëndorjë të enjten dhe të premten në Bruksel për këtë çështje duke lënë të hapur mundësinë e një takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. As Prishtina dhe as zyrtarët e Bashkimit Evropian nuk e konfirmuan nëse do të ketë një takim, por zyrtarët në Bruksel thanë se palët duhet të kthehen në tryezën e bisedimeve.
I dërguari evropian Miroslav Lajçak, tha se ngjarjet e 24 shtatorit e kanë bërë të qartë se shtensionimi dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve, janë tani më urgjente se kurrë dhe ato ngjarje, sipas tij, nuk e kanë ndryshuar faktin se Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord për një marrëveshje drejt normalizimit të marrëdhënieve më herët gjatë këtij viti.
Në Prishtinë shefja e grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, Mimoza Kusari – Lila kundërshtoi të hënën këtë qëndrim duke theksuar se nuk mund të vazhdohet njësoj pas 24 shtatorit.
“Ne jemi të qëndrimit që 24 shtatori ka shënuar një kthesë të rëndësishme dhe fatkeqësisht jo për të mirë në procesin e dialogut. Natyrisht që kërkojmë edhe llogari nga ata që kanë qenë dhe mbeten të angazhuar në sulm ndaj Republikës tonë por gjithashtu edhe një rikonfigurim të një procesi në të cilën njëra palë dukshëm mendon se ushtrimi i dhunës dhe cenimi i sovranitetit e integritetit territorial janë pjesë e këtij procesi”, tha ajo.
Ngjarjet e 24 shtatorit ishin temë diksutimi sot në takimin e ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian si dhe pritet të diskutohen sërish gjatë takimit të shefave të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian nga fundi i kësaj jave.
Kosova akuzon Serbinë për organizimin e sulmit ndaj policisë me 24 shtator. Të hënën Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shkroi në një postim në rrjetet sociale se sulmin, e kreu “Klani i Novi Sadit i udhëhequr nga ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviç”.
Beogradi i cili mohon çfarëdo lidhjeje me grupin e armatosur që kreu sulmin, përgjegjësinë për të cilin e mori Milan Radoiçiç, ish nënkryetar i Listës Serbe, subjektit më të madh politik të serbëve në Kosovë, hodhi poshtë sot pohimet e kryeministrit Kurti, i cili kërkon sanksionimin e Serbisë ndërsa e cilëson si përparësi sigurinë në Kosovë.
Sidoqoftë, diplomatët që vizituan Prishtinën dhe Beogradin në fundjavë vunë theksin te zbatimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve për të cilën palët janë pajtuar më herët gjatë këtij viti dhe gjatë kësaj jave mund të priten hapa më konkret për t’i nxitur palët të përshpejtojnë zbatimin e saj.