Krimet e urrejtjes kundër hebrenjve dhe myslimanëve janë rritur në kryeqytetin britanik mes përshkallëzimit dramatik të konfliktit Izrael-Hamas, ka thënë Policia Metropolitane.
“Fatkeqësisht, pavarësisht nga prania e shtuar e oficerëve, ne kemi parë një rritje të konsiderueshme të krimeve të urrejtjes në gjithë Londrën,” tha Metropolitan Police në një deklaratë. Ata shtuan se 218 vepra antisemite u regjistruan midis 1 dhe 18 tetorit, në krahasim me 15 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Shkeljet islamofobike u rritën nga 42 në 101.
“Këto shifra përfaqësojnë rritje të përqindjes përkatësisht 1,353% dhe 140%,” tha policia.
Gjithsej 21 persona janë arrestuar, duke përfshirë një burrë të dyshuar për prishjen e posterave të izraelitëve të kapur nga militantët palestinezë, dhe një person tjetër i dyshuar për vizatimin e grafiteve islamofobike në stacionet e autobusëve.
Metropolitan Police theksoi se ata po punojnë ngushtë me komunitetin hebre dhe mysliman për të ‘siguruar dhe hetuar shkeljet në afërsi të shkollave fetare, vendeve të kultit dhe në ato komunitete ku ne e dimë se nivelet e shqetësimit janë më të lartat’.