Vendosni fjalën kyçe....

Serbia merr dronë e sisteme ajrore nga Kina


Serbia po forcon ndjeshëm forcat e armatosura me pajisje ushtarake nga Kina, veçanërisht sisteme të mbrojtjes ajrore dhe dronë.

Zëvendëskryeministri Milosh Vuçeviç, i cili është njëkohësisht edhe ministër i Mbrojtjes i Serbisë,  në një intervistë për median e kontrolluar nga shteti Global Times, pohoi se përsa i përket marrëdhënieve dypalëshe Serbi-Kinë, veçon bashkëpunimin ushtarak më së pari, dhe atë ekonomik si dhe investimet e shumta, të cilat janë shumë të rëndësishme për vendin.

“Për sa u përket marrëdhënieve dypalëshe Serbi-Kinë, do të veçoja bashkëpunimin ushtarak si dhe bashkëpunimin ekonomik dhe investimet e shumta, të cilat janë shumë të rëndësishme për vendin tonë”, tha Milosh Vuçeviç.

Vuçeviç tha se përpjekjet për pajisjen dhe modernizimin e forcave të armatosura kanë për qëllim mbrojtjen. Presidenti i Kinës Xi Jinping, bëri thirrje për një bashkërendim më të fortë strategjik me “mikun e çeliktë” Serbinë, kur takoi presidentin e saj, Aleksandër Vuçiç, në Pekin javën e kaluar, duke u zotuar për mbështetje ndaj Serbisë në ruajtjen e sovranitetit dhe tërësisë tokësore të saj.

Vuçeviç tregoi se sistemi i raketave kundërajrore kineze me rreze të mesme veprimi FK-3 dhe avionët pa pilote CH-95 dhe CH-92A, janë “pa dyshim” ndër sistemet më të rëndësishme të mbrojtjes që kishte vendi ka marrë ndonjëherë. Serbia ekspozoi prillin e vitit të kaluar raketat tokë-ajër të prodhuara nga Kina së bashku me pajisje të tjera ushtarake të blera nga Rusia dhe Perëndimi.

Në 2019-tën sakaq bleu sistemin e mbrojtjes tokë-ajër FK-3, të ngjashëm me sistemin rus S-300 ose sistemin amerikan Patriot. Ky përforcim i ushtrisë së saj vjen në një kohë tensionesh të larta me Kosovën, situatën me të cilën si Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe Rusia, e cila tradicionalisht mbështet Serbinë, po e vëzhgojnë me kujdes