Botërori i mundjes për 23-vjeçarë, eventi madhor që do të zhvillohet për herë të parë në Shqipëri, humbet një skuadër ende pa nisur. Përfaqësuesja e mundjes së Iranit nuk do të jetë e pranishme në eventin që zhvillohet nga 23 deri më 29 tetor, në Tiranë, sipas A2CNN.
Arsyeja lidhet me refuzimin e vizave nga shteti shqiptar. Vendimi ka të bëjë me ngjarjet e vitit të kaluar, ku pas sulmit kibernetik ndaj infrastrukturës digjitale të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, vendi ynë ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Republikën Islamike të Iranit.
Më 7 shtatorin e viti 2022, i gjithë personeli diplomatik dhe tekniko-administrativ i Ambasadës së Iranit në Tiranë u urdhërua të largohej nga territori i Republikës së Shqipërisë.
Federata Ndërkombëtare e Mundjes dhe Federata e Iranit ishin në dijeni të problemit prej shumë javësh. Pavarësisht tentativave dhe negociatave me qeverinë shqiptare, sportistët nuk u pajisën me viza me argumentin e “arsyeve politike”.
Irani do të paraqitej në Tiranë me 20 mundës, ku gjysma do të garonin në stilin e lirë dhe gjysma në stilin greko-romak. Të paktën 5 sportistë kishin pretendime për zonën e medaljeve, pasi renditen mes 20 vendeve të para në botë.
Sipas Federatës Ndërkombëtare, marrja e vizave mbetet problemi më i madh në sportin e mundjes.
Botërori i 23-vjeçarëve u spostua të zhvillohej nga Tampere në Finlandë në Tiranë, pikërisht për të mundësuar pjesëmarrjen e mundësve nga Rusia dhe Bjellorusia, që nuk lejohen të garojnë në shumë shtete prej luftës në Ukrainë.