Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, ka njoftuar përmes një njoftimi në “Facebook” se dy shqiptarë, pjesë e ushtrisë së Ukrainës janë vrarë në luftën kundër Rusisë.
Majko bën të ditur se për këtë ngjarje u njoftua nga konsulli i Shqipërisë në Ukrainë, Omarov Shakhin, se 43-vjeçari Dermentli Anatoly, me origjinë shqiptare nga fshati i Karakurtit, si dhe 21 vjeçari Haydarzhy Danylo, me prindër shqiptarë nga fshati Georgivka në rajonin e Zaporozhias, janë vrarë gjatë luftimeve kundër forcave ruse.
Ashtu siç shihet edhe në pamjet e publikuara në Facebook nga Majko, arkivolet e të rënëve në luftë u shoqëruan krahas flamurit të Ukrainës dhe me flamurin shqiptar.
“Konsulli i Shqipërisë në Ukrainë, Omarov Shakhin, sapo më shkruajti për një lajm të hidhur.
Ukraina, nga sot, ka edhe dy djem, nga rradhët e diasporës shqiptare të cilët kanë rënë në luftë. Ata ishin ushtarë në ushtrinë e Ukrainës, të cilët luftuan dhe dhanë jetën në krye të detyrës si heronj. Ata ishin:
Dermentli Anatoly ishte nga fshati shqiptar i Karakurtit (në rajonin e Odesës). Ai kishte lindur më 3 shtator 1980. U mobilizua në Brigadën e mekanizuar Nr.118 në rajonin e Zaporozhias. Në 15 tetor, humbi jetën, në një mision luftimi.
Haydarzhy Danylo u lind në një familje shqiptare në 26 janar 2002 në fshatin Georgivka (rajoni i Zaporozhias). Ai ishte fëmija i dytë në familjen e tij, cila aktualisht, jeton ende në zonën e okupuar nga trupat ruse. Kur filloi lufta ai ishte në Poloni. Në verën e 2022, ai shkoi vullnetarisht për tu mobilizuar, por u refuzua (për shkak të moshës). Në vitin 2023 pas ditëlindjes së 21-të ai aplikoi sërish dhe shërbeu vullnetarisht në Forcat e Armatosura të Ukrainës. Ai shërbeu në njësinë ushtarake A290 dhe dha jetën në zonën e luftimeve në fshatin Liman, pranë qytetit Kupiansk, në rajonin e Kharkivit.
Dje janë zhvilluar në qytetin e Zaporozhias ceremonistë funerale të dy djemve shqiptarë me gjak, të cilët edhe nga fotot personale duket që nuk kanë harruar origjinën e tyre.
Në ceremoninë e varrimit pranë flamurit të Ukrainës është vendosur edhe flamuri kombëtar shqiptar. I përjetshëm, qoftë kujtimi i tyre”, shkruan Majko në facebook.