Vendosni fjalën kyçe....

Linçimi ndaj gazetares Hysaj, kolegët thirrje për ndaljen e sulmeve


Gazetarë dhe organizata mediatike në vend kanë reaguar ashpër ndaj sulmit të bërë ndaj Afrovita Hysaj, e cila u linçua nga televizioni lokal “6+1 Vlora” për shkak të deklaratave ndaj ngjarjes së rëndë të përdhunimit të një 26-vjeçareje nga tre djem në këtë qytet.

Gazetarja Hysaj u linçua nga televizioni lokal në Vlorë pasi akuzohet se aludoi që në përdhunimin e 26-vjeçares disa ditë më parë në Vlorë morën pjesë 4 djem dhe jo 3 siç raportoi policia.

Pronari i televizionit 6+1 Vlora madje i ka shkruar edhe mesazh kërcënues gazetares i cili është publikuar nga FaxNews. Ai i shkruan asaj “je në gjak me mua”. 

Linçimi nisi pasi gazetarja raportoi në rrjetet e saj sociale mbi ngjarjen se sipas këtyre aludimeve, autori i dyshuar i katërt është vëllai i drejtores së televizionit në fjalë. Ndërsa dy autorë të tjerë të dyshuar i kanë motrat drejtoresha në Bashki. 

Gazetarja Anila Hoxha, Fatjon Mejdini, Osman Stafa dhe Isa Myzyraj janë ndër gazetarët që reaguan për rastin duke u solidarizuar me kolegen dhe kërkuan ndaljen e linçmit ndaj saj.

Gazetarja Hoxha shkruan se gazetari nuk vritet vetëm me plumba por edhe me gjuhë denigruese, apo edhe përmes etiketimeve poshtëruese. 

 

Ndërsa Fatjona Mejdini kërkon veprimin e prokruorisë dhe policisë me dorë të fortë pasi klima ngjan me ngjarjet e 97′. Përveç gazetarëve janë kërcënuar edhe familjarët shton Mjedini. 

Gazetari i Osman Stafa ka këruar heqjen e materialit linçues dhe kërkimin e faljes ndaj gazetares. Ai gjithashtu ka kërkuar hetim të rastit. 

Edhe gazetari Isa Myzyraj ëshë në një linjë me kolegun Osman Stafa duke kërkuar reagim dhe kërkim falje. 

Reagim ka patur edhe nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë i cili dënon artikullin dhe kërkon marrjen e masave për heqjen e tij. 

Precedent i rëndë i kanalit 6+1 Vlora  me emrin dhe imazhin e një gazetareje

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë është tronditur nga publikimi i një raporti televiziv i kanalit 6+1 Vlora me titull: ” …” Afrovita Hysaj mashtron qytetarët e Vlorës”, i transmetuar në datën 24 Tetor 2023, si në versionin brenda edicioneve informative të medias vendore ashtu edhe në atë online të kësaj medieje.

Ky raport, përmes gjuhës dhe fjalorit që përmban, cënon rëndë kodet e etikës së gazetarisë, linçon publikisht një punonjëse të medias, përdhos komunikimin publik dhe detyrimin ndaj tij dhe shënon një precedent të rrallë në sulmin e një medieje ndaj një gazetareje vendore.

Rasti në fjalë ka tronditur gjithë opinionin profesional dhe ka hapur diskutime të shumta mes entitetit tonë.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë e konsideron këtë një akt të rëndë.

Për këtë arsye, kërkojmë me urgjencë që editori i kësaj medieje, administratori i tij, në mënyrë urgjente të tërheqë nga publikimi dhe faqet zyrtare të medias, këtë raport.

Në përputhje me kodet e etikës dhe rregullat e gazetarisë, të reflektojë menjëherë, pasi ky material në tekstin e vet përmban edhe vlerë antiligjore. Kërkesa jonë bazohet në respekt dhe mishërim të parimeve dhe normave të një  gazetarie, si mision publik, në shërbim të publikut dhe jo si një “mjet privat që mund të presë dhe lëndojë qytetarë, e aq më tepër, persona të medias.

Ky rast meriton ndërhyrjen e menjëhershme të AMA-s dhe të organizatave që merren me mbrojtjen e etikës, parimeve dhe normave të komunikimit publik dhe aq më tepër të raportimit me standard.

Në mënyrën më urgjente i kërkojmë kësaj medieje të reagojë dhe të kërkojë ndjesë publike për rastin që shkaktoi” – thuhet në reagim./Hashtag.al