Izraeli ka përshkallëzuar bombardimet ndaj objektivave të tij në Rripin e Gazës përpara një ofensive tokësore të pritshme kundër militantëve të Hamasit. Luftimet po rrisin me shpejtësi numrin e të vdekurve në Gazë dhe Shtetet e Bashkuara druhen se këto zhvillimeve mund të nxisin një konflikt më të gjerë në rajon.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi, vetëm gjatë ditës së djeshme kanë humbur jetën më shumë se 700 persona si pasojë e sulmeve ajrore izraelite. Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se gati dy të tretat e objekteve shëndetësore të Gazës janë jashtë funksionit, shkruan VOA.
Që kur Izraeli izoloi territorin pas sulmit të Hamasit ndaj qyteteve izraelite më 7 tetor, banorët e këtij rajoni po përballen me mungesa të mëdha në ushqime, ujë dhe ilaçe.
Autokolonat me ndihma që janë lejuar të hyjnë në Gazë mbulojnë vetëm një pjesë të vogël të nevojave. OKB-ja paralajmëroi se shpërndarja e ndihmave mund të ndalet nëse nuk do të ketë karburant për kamionët.
Luftimet, të cilat të martën hynë në ditën e 18-të të tyre, janë nga më të përgjakshmet për të dyja palët, krahasuar me pesë luftra të zhvilluara në Gazë.
Që nga fillimi i konfliktit sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi, janë vrarë të paktën 5,791 palestinezë dhe 16,297 janë plagosur.
Ndërkohë autoritetet izraelite kanë konfirmuar më shumë se 1,400 persona të vrarë në Izrael, kryesisht civilë, të cilët humbën jetën pas sulmit brutal të Hamasit më 7 tetor. Po kështu besohet se numri personave të marrë peng nga grupi i militantëve, ditën e parë të sulmit të tyre ishte 222, mes tyre edhe shtetas të huaj. Deri tani janë liruar katër pengje.