Ministria e Brendshme ka propozuar ndryshime të reja në Kodin Penal, sa i takon forcimit të sigurisë në shkolla.
Përmes një shkrese, drejtuar ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, Taulant Balla ka propozuar shtimin e 11 neneve, që do të rrisnin më shumë sigurinë në institucionet arsimore, ku përfshihet pornografia, dhuna seksuale, apo pornografia dhe të tjera fenomene.
Në lidhje me këtë dekret ligji ka reaguar edhe ministri Taulant Balla, i cili theksoi se me këto ndryshime do të ashpërsohen dënimet e parashikuara në Kodin Penal.
“ Do të forcojmë me ligj Paketën Sigurisë në Shkolla duke bërë të mundur ashpërsimin e dënimeve të parashikuara në Kodin Penal për veprat penale që kryhen në mjediset e një institucioni arsimor apo në perimetrin e sigurisë së tij. Kryerja e një vepre penale në mjediset e një institucioni arsimor ose në perimetrin e sigurisë së tij të parashikohet si rrethanë rënduese, nëse në dëm të një të mituri, dhe, në çdo rast, si rrethanë cilësuese e figurës së veprave penale të mëposhtme:
- Dhuna seksuale (neni 107/a);
- Pornografia (neni 117);
- Trafikimi i të miturve (neni 128/b);
- Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit (neni 278);
- Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta (neni 279);
- Prodhimi dhe shitja e narkotikëve (neni 283);
- Përshtatja e lokalit për përdorim droge (neni 285/a);
- Hedhja ose braktisja e shiringave (neni 285/b);
- Nxitja për përdorimin e drogës (neni 286);
- Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt (neni 291).
Jam i bindur se këto ndryshime në Kodin Penal do të kontribuojnë në rritjen e sigurisë, parandalimin e kriminalitetit dhe shmangien e rrezikut për jetën dhe shëndetin e fëmijëve dhe të rinjve tanë në të gjitha ato mjedise brenda dhe përreth shkollave të frekuentuara prej tyre.”, është shprehur Balla.