Shënim nga Hashtag.al
Nëse SPAK ka bërë hetim të thelluar për çështjen e privatizimit të Klubit “Partizani”, besueshmëria e tij mund të njolloset nga një gafë e panevojshme siç është fakti që nuk ka marrë asnjë autorizim nga Kuvendi për të ndaluar Sali Berishën të dalë jashtë shtetit. Kujtojmë këtu që reforma në drejtësi u bë kryesisht për të rikthyer besimin e publikut te drejtësia dhe kësaj të fundit nuk i duhet fare një gafë e tillë.
Komuniteti i avokatëve është i ndarë në dy pjesë për këtë aspekt. Disa janë të mendimit që Kushtetuta kërkon autorizim (heqjen e imunitetit) vetëm për rastet e arrestit në burg apo arrestit në shtëpi. Disa të tjerë janë të mendimit që autorizimi i Kuvendit duhet edhe për masat e tjera të sigurimit, përfshirë edhe atë të detyrimit për paraqitje.
Problemi lind te mënyra se si e lexon Kushtetutën gjithsecili. Kushtetuta, në nenin 73, pika 2 ndalon heqjen e lirisë së deputetit në çdo formë, pa lejen e Kuvendit. Mirëpo çfarë do të thotë “heqje“ lirie? A ka heqje të plotë lirie? Jo. Edhe kur personi futet në burg, ai përsëri është i lirë të lëvizë brenda qelisë. Nëse është në arrest shtëpie, ai është i lirë të lëvizë nga dhoma e gjumit, në tualet, në kuzhinë, etj. Nëse është ndalim për dalje jashtë shtetit, personi është i lirë të lëvizë brenda shtetit.
Ajo çfarë i bashkon të tre rastet bashkë është vendosja e një “kufiri”. Pak rëndësi ka se ku është kufiri, te dera e qelisë, te dera e shtëpisë, apo te dera e shtetit. Në të gjitha rastet është kufizim, ose heqje e pjesshme, ose thjesht heqje, sepse e plotë do të ishte vetëm ta lidhësh personin me litar nga koka te këmbët pas ndonjë shtylle.
Madje, Gjykata e të Drejtave të Njeriut ka gjetur shpesh shkelje kur ndonjë gjykatë e ndonjë shteti ka bërë gafa si rasti i SPAK-ut me Berishën, kur vetëm arresti në burg është konsideruar si “heqje“ lirie. Sipas Gjykatës së Strasburgut, çdo kufizim i lirisë është heqje lirie, qoftë ky ndalim, shoqërim, arrest në burg, arrest në shtëpi, ndalim dalje jashtë shtetit, apo edhe rasti kur policia rrugore të ndalon për shkeljet e qarkullimit rrugor dhe kjo zgjat vetëm për disa minuta.
Pavarësisht hipokrizisë së Berishës që nga njëra anë reklamon qëndrimin e tij pro heqjes totale të imunitetit të deputetëve dhe nga ana tjetër mbrohet fort prej tij, gjithkush duhet ta kuptojë që imuniteti parlamentar nuk është për të mbrojtur deputetin, por vetë Kuvendin nga sulmet abuzive që mund t‘i vijnë nga një segment çfarëdo i shoqërisë që ka në dorë një moment organin e akuzës dhe gjyqësorin. Ideja është të mbrohet funksioni i deputetit dhe jo individi deputet. Një deputet nuk presupozohet se e kryen funksionin e tij më së miri nëse i është kufizuar liria në çdo formë.
Madje, në Kuvendin e Shqiperisë ka pasur edhe precedentë për këtë aspekt. Rasti i Sajmir Tahirit është më i freskëti, ku Kuvendi autorizoi shprehimisht ndalimin e daljes së tij jashtë shtetit. Dhe ku ka precedent, konsiderohet si debat që është kryer tashmë.
Nuk kishte asnjë arsye që SPAK të druhej se Kuvendi nuk do ia miratonte këtë autorizim edhe për Sali Berishën për aq kohë sa PS ka votat e mjaftueshme dhe kjo çështje është nisur në bazë të kallëzimit të një prej eksponentëve të saj kryesorë. Është thuajse e kuptueshme që SPAK e ka neglizhuar totalisht këtë aspekt, ose thjesht ka lexuar Kushtetutën në mënyrën më gramatikore të mundshme pa vrarë mendjen për logjikën dhe as për pasojat.
Dhe pikërisht te pasojat është problemi. Arbnor Muja shënoi një gol të katërt të bukur kundër Çekisë ca ditë më parë, por sistemi VAR e anuloi si offside. Nëse një Gjykata e Apelit, Gjykata e Lartë, apo Gjykata Kushtetuese do e anulojnë këtë masën e sigurimit për Sali Berishën, minohet besimi i publikut te drejtësia kundër Berishës.
Në këtë çështje kaq delikate, jo për shkak të kazusit, por për shkak të personit që akuzohet, nuk duhet të ketë askush luksin t’i anulohen golat, aq më tepër që nuk ka 3 gola në shportë si Shqipëria me Çekinë, por akoma 0. Të mos harrojmë që Berishën e besojnë një numër shumë i madh njerëzish për çdo gjë që ai nxjerr nga goja, qoftë edhe kur sajon histori rokamboleske me shërbime sekrete që i kanë treguar se si kitaristi i grupit Eagles ca dekada më herët na ishte Erion Veliaj me paruke në Iran.
Berisha gjithmonë e ka pasur gati alibinë që çdo sulm ndaj tij është politik dhe i paligjshëm. Dhe për aspektin e autorizimit që duhej nga Kuvendi, kësaj rradhe ai ka të drejtë. Asaj pjese të publikut që është i interesuar për zbardhjen e kësaj ngjarjeje nuk i duhej fare kjo gjë.
E vetmja mënyrë se si riparohet kjo gafë, është që gjykata në vazhdim ta rrëzojë masën e sigurimit, duke treguar një fytyrë normale drejtësië, si në të gjithë botën, ku është normale që edhe SPAK të jetë i gabueshëm në procedurë. Fundja prandaj është gjykata aty me jo pak por tre shkallë gjykimi njëra pas tjetrës. Rëndësi ka të jetë i pagabueshëm te thelbi i hetimit. Ky i fundit ka rëndësi për të gjithë.