Udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë pritet të takohen këtë javë në Bruksel në kuadër të përpjekjeve perëndimore për t’i dhënë drejtim zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, mes shqetësimeve për situatën e sigurisë që pasuan sulmin e një muaji më parë ndaj policisë së Kosovës në veri.
Paralajmërimi i takimit pasoi vizitën e të dërguarve perëndimore gjatë fundjavës në Prishtinë dhe në Beograd gjatë së cilës u tha se paraqiten një plan për rrugën përpara për zbatimin e marrëveshjes së arritur me herët gjatë këtij viti në Bruksel dhe në Ohër, por pa dhënë hollësi.
Diplomatët shpresojnë që të arrihet një përparim deri në takimin udhëheqësve të vendeve anëtare të Bashimit Evropian që fillon të enjten pasdite.
Ndonëse nuk ka asnjë njoftim zyrtar për kohën e takimit, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç tha të martën se pret që brenda dy apo tre ditësh të qëndrojë në Bruksel, ku siç tha, do të jetë edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti. Ai tha se rendi i ditës së diskutimeve do të jetë në përputhje me atë që është diskutuar me pesëshen diplomatike gjatë fundjavës, duke nënvizuar se ka një marrëveshje që të mos flitet për këtë çështje.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha të martën se është i gatshëm të zbatojë marrëveshjen e arritur në fillim të këtij viti në Bruksel dhe Ohër ndërsa akuzoi autoritetet në Beograd se po e shmangin marrëveshjen e cila sipas tij çon në njohje de fakto të Kosovës nga Serbia.
Ai i bëri këto komente në Greqi përgjatë një debati me temën “thellimi i solidaritetit: Si mundet Evropa të dalë më e fuqishme nga trazirat aktuale gjeopolitike? të organizuar nga “The Economist”, në Greqi.
“Por Beogradi nuk dëshiron të nënshkruajë, sepse përmbajtja e marrëveshjes është njohja de facto. Është modeluar sipas dy Gjermanive të vitit 1972, njohja faktike mes dy Gjermanive. Kjo është marrëveshja që ne kemi me Serbinë”, tha ai.
Qeveria e Kosovës ka thënë se siguria e vendit është përparësia themelore për dallim nga kërkesat e diplomatëve perëndimorë të cilët gjatë vizitës të së shtunës në Prishtinë vunë theksin te themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që është edhe çështja më e vështirë e bisedimeve me Serbinë. Themelimi i Asociacionit është pjesë e marrëveshjes së Ohrit zbatimi i së cilës sipas kryeministrit Kurti është një sfidë e vështirë, shkruan VOA.
“Në historinë e marrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kemi mbi 40 marrëveshje, por na mungon zbatimi. Arritja e një marrëveshjeje dhe zbatimi i saj janë dy planetë të ndryshëm dhe ne duhet t’i sjellim në të njëjtin kontinent. Dhe ky është kontinenti evropian. Pra, le të zbatojmë me shpejtësi atë që kemi rënë dakord. Dhe unë jam ende gati të nënshkruaj gjithçka që them po. Kështu nuk ndodhi me palën tjetër dhe më pas kanë ndodhur vështirësitë”, tha ai.
Shtimi i trysnisë perëndimore për zbatimin e marrëveshjes pasoi sulmin e 24 shtatorit kur një grup serbësh të armatosur sulmoi policinë e Kosovës në fshatin Banjskë në veri duke vrarë një oficer policie. Tre sulmues u vranë gjatë përleshjeve, që nxitën shqetësime për qëndrueshmërinë në rajon.
Diplomatët perëndimorë thonë se 24 shtatori dëshmoi rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi.