Bobi, qeni më i vjetër në botë ndonjëherë, ka ngordhur pasi arriti moshën pothuajse të paimagjinueshme prej 31 vjeç e 165 ditësh, thanë të hënën Rekordet Botërore Guinness (GWR).
Vdekja e tij në një spital kafshësh të premten u njoftua fillimisht nga veterinerja Dr. Karen Becker.
Ajo shkroi në Facebook se ‘pavarësisht se mbijetoi më shumë se çdo qen në histori, 11,478 ditët e tij në tokë nuk do mjaftonin kurrë, për ata që e donin atë’.
Kishte shumë sekrete për pleqërinë e jashtëzakonshme të Bobit, tha pronari i tij Leonel Costa për GWR në shkurt. Ai gjithmonë bredh lirshëm, pa zinxhir, jetonte në një mjedis ‘të qetë dhe paqësor’ dhe hante ushqim njerëzor të njomur në ujë për të hequr erëzat, tha Costa.
Ai e kaloi gjithë jetën e tij në Conqueiros, një fshat i vogël portugez rreth 150 kilometra (93 milje) në veri të kryeqytetit Lisbonë, shpesh duke u endur me macet.
Bobi ishte një race e pastër Rafeiro do Alentejo – një racë qensh kujdestare bagëtish – sipas pronarit të tij. Rafeiro do Alentejos ka një jetëgjatësi prej rreth 12-14 vjetësh, sipas American Kennel Club.
Por Bobi e tejkaloi thuajse me dy herë këtë jetëgjatësi, duke vendosur një rekord gati shekullor për t’u bërë qeni më i vjetër i gjallë dhe qeni më i vjetër ndonjëherë, një titull që më parë e kishte mbajtur qeni australian Bluey, i cili lindi në 1910 dhe jetoi 29 vjeç e pesë muaj. Festa e tij e ditëlindjes së 31-të në maj u ndoq nga më shumë se 100 njerëz dhe një trupë kërcimi, tha GWR.
Shikimi i tij u përkeqësua dhe ecja u bë më e vështirë ndërsa Bobi u rrit, por ai ende kalonte kohë në oborrin e shtëpisë me macet, pushonte më shumë dhe dremitej nën diell.