Ndërsa konflikti mes Izraelit dhe Hamasit intensifikohet, Shtetet e Bashkuara nënvizuan të dielën se, forcimi i pranisë ushtarake në Lindjen e Mesme, është realisht një masë për t’i paraprirë sulmeve të mundshme ndaj forcave amerikane. Siç njofton korrespodentja e Zërit të Amerikës, Veronica Balderas Iglesias, Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar se janë gati të reagojnë me shpejtësi ndaj çdo kërcënimi të mundshëm.
Ndërsa forcat izraelite përgatiten për hapat e radhës në luftën ndaj grupit militant palestinez Hamas, shqetësimet për zgjerimin e konfliktit vazhdojnë.
Në këtë kontekst, Shtetet e Bashkuara njoftuan dislokimin në rajon të sistemeve të tjera të mbrojtjes ajrore.
“Së fundmi kemi parë sulme me dronë dhe raketa ndaj bazave të trupave tona në Irak dhe Siri. Ne kemi të drejtën të mbrohemi dhe nuk do të hezitojmë për të kryer veprimet e duhura për këtë”, tha Sekretari Amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin, për emisionin “This week” në rrjetin ABC.
Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili së fundit zhvilloi një sërë takimesh në Lindjen e Mesme, nënvizoi nevojën për të forcuar praninë ushtarake amerikane si një masë për t’i paraprirë sulmeve të mundshme ndaj trupave amerikane.
“Nuk duam të shohim që të hapet një front i dytë apo një front i tretë lufte. Nuk duam të shohim që të sulmohen trupat dhe personeli ynë, por nëse një gjë e tillë ndodh, ne jemi gati të reagojmë”, tha zoti Blinken në një intervistë për programin “Meet the Press”, të rrjetit NBC.
Sa i përket ndihmave humanitare, Turqia është një prej vendeve që së fundmi dërgoi ndihmë për civilët palestinezë, por hyrja e kamionëve me ndihma në Rafah, vendkalimin mes Egjiptit dhe Gazës, ka qenë i ngadaltë, thotë drejtoresha e Programit Botëror të Ushqimit, në Organizatën e Kombëve të Bashkuara, Cindy McCain.
“Arritëm t’u jepnim vaktin e darkës rreth 200 mijë personave mbrëmjen e shkuar, por kjo nuk mjafton. Njerëzit po vuajnë nga uria, kjo është edhe një çështje e sigurisë kombëtare për rajonin”.
Ndërsa rreziku në Lindjen e Mesme është i lartë, kryetari i Komisionit Për Punët e Jashtme, Ligjvënësi republikan Michael McCaul thotë se është me rëndësi jetike që shumica republikane të zgjedhë kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve.
Ai foli në rrjetin ABC mbi ngërçin për zgjedhjen e kryetarit të ri pas shkarkimit të zotit Kevin McCarthy, në fillim të tetorit.
“Gjërat po shkojnë keq. Kjo që po bëjmë është e rrezikshme dhe mbi të gjitha na fut në vështirësi, pasi fuqizon kundërshtarët tanë”, u shpreh ai.
Pavarësisht urgjencës për zgjedhjen e kryetarit të ri të Dhomës së Përfaqësuesve, zoti McCaul tha se nuk e dinte nëse një gjë e tillë mund të ndodhë gjatë kësaj jave.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e VOA.