Shumë kohë përpara se militantët e Hamas-it të dilnin nga bastioni i tyre në Gaza për të vrarë shumë civilë me pistoleta e automatikë, Irani dhe aleatët e tij kishin përshpejtuar përpjekjet për të kontrabanduar armë në një pjesë të ndryshme të territoreve palestineze, në Bregun Perëndimor, shkruan WSJ.
Duke përdorur dronët, fluturimet sekrete të linjave ajrore dhe një urë tokësore që përshkon qindra milje dhe të paktën katër kufij kombëtarë, operacioni i kontrabandës po ngre spektrin e një fuqie të re zjarri në luftën midis Izraelit dhe palestinezëve.
Ai gjithashtu përbën një kërcënim në rritje për Jordaninë, një aleat i vendosur i SHBA-së, që kufizohet me Izraelin dhe Bregun Perëndimor dhe lufton prej kohësh për të kontrolluar një rrjedhë në rritje të drogës dhe armëve.
“Irani dëshiron ta kthejë Jordaninë në një zonë tranziti për armët që shkojnë në Izrael”, tha Amer Al-Sabaileh, themeluesi i Security Languages, një institut kërkimor kundër terrorizmit në Aman.
“Por frika ime është se armët mund të përdoren edhe në Jordani. Ku është vendi më i lehtë në Lindjen e Mesme për të ndëshkuar SHBA-në dhe Perëndimin? Jordania.” – tha ai.
Irani është një mbrojtës i Hamas-it, të cilin gjatë viteve e ka furnizuar me para, armë dhe stërvitje. Po ndërsa Egjipti ka goditur rrugët e kontrabandës përmes Gadishullit Sinai, i cili kufizohet me Rripin e Gazës, Hamasi është bërë gjithnjë e më i vetëmbështetur te armët e ndërtuara në vend, veçanërisht raketat.
Pjesa më e madhe e armëve iraniane për palestinezët shkon në Bregun Perëndimor, veçanërisht për Xhihadin Islamik Palestinez, një grup militant aleat me Hamas-in, sipas një zyrtari të lartë jordanez të sigurisë. Zyrtari tha se rrjetet e kontrabandistëve, të ndihmuar nga qeveria siriane dhe milicitë e mbështetur nga Irani si Hezbollah-u, po rriteshin.
“Vërshimi i armëve është rritur me të vërtetë, veçanërisht gjatë vitit të kaluar. Kjo për shkak se Irani ka qenë shumë më i përqendruar në Bregun Perëndimor kohët e fundit dhe është përpjekur të armatosë disa nga grupet atje, veçanërisht Xhihadin Islamik Palestinez, i cili është partneri më i drejtpërdrejtë i Iranit.” – tha Michael Horowitz, kreu i inteligjencës ‘Le Beck International’ me bazë në Izrael, një firmë këshilluese për rrezikun.
“Kjo ndoshta shpjegon një pjesë të dështimit të inteligjencës gjatë sulmit të Hamas-it, sepse Izraeli ishte më i përqendruar në Bregun Perëndimor sesa në Gaza.” – tha Horowitz.
Për më shumë se një dhjetëvjeçar, Irani ka përfituar nga trazirat dhe korrozioni i autoritetit qeveritar në Lindjen e Mesme për të çimentuar gjurmën e tij në rajon. Nëpërmjet një rrjeti milicish besnike, Teherani ka krijuar një korridor tokësor përgjatë Irakut dhe Sirisë në Liban dhe, nëpërmjet Jordanisë, në Bregun Perëndimor, duke e lejuar atë të transportojë trupa, pajisje dhe armë për aleatët e tij në Levant.
Jordania, e cila ka kufij porozë me Sirinë e shkatërruar nga lufta, e kontrolluar nga aleati i Iranit, Bashar al-Assad, si dhe në Bregun Perëndimor, ka qenë prej kohësh e shqetësuar nga trafiku i armëve dhe drogës përmes territorit të saj.
Zyrtarët jordanezë janë ankuar në Siri dhe i kanë shprehur shqetësimet e tyre aleatëve evropianë, të shqetësuar se dyndjet e armëve në Bregun Perëndimor do tendosnin marrëdhëniet e saj me Izraelin, sipas zyrtarëve evropianë dhe të Lindjes së Mesme.
Sipas zyrtarit të lartë jordanez, armët e kontrabanduara në Jordani përfshijnë kopje iraniane të minave antipersonel ‘Claymore’ të prodhuara në SHBA, pushkë sulmi të stilit ‘M4’, TNT dhe eksplozivë, pistoleta e armë të tjera. ‘Terrorgence’, një rrjet informacioni që përfshin këshilltarë të policisë izraelite, tha në tetor se forcat kufitare izraelite kishin konfiskuar mina kundër personit të prodhuara në Iran dhe Rusi.
Duke kaluar kufirin sirian në Jordani, armët fshihen në kamionë që kalojnë nëpër pikat kufitare zyrtare ose barten nëpër hapësirat e mëdha të shkretëtirës, të cilat në dimër janë të mbuluara me mjegull dhe pluhur.
Dronët, një mjet i ri i luftës për kontrabandistët, janë gjithashtu të dobishëm për kontrabandën. Në shkurt, agjentët jordanezë kapën dronin e parë nga Siria që mbante granata dore. Një dron komercial, i blerë në internet, i lirë dhe mjaft i lehtë për t’u manovruar, mund të mbajë gjithashtu dy pushkë sulmi dhe është shumë i vështirë për t’u zbuluar, tha një tjetër zyrtar jordanez i sigurisë përgjegjës për monitorimin e kufirit sirian.
“Ne shohim dronë vetëm rastësisht.” – tha ai.
Irani ka përdorur mjete të tjera për të transportuar armë. Në shkurt, pas një tërmeti shkatërrues në Turqi dhe Siri, Esmail Qaani, komandant i Forcave elitare të Iranit Quds, e cila është përgjegjëse për operacionet e jashtme të Gardës Revolucionare, vizitoi qytetin sirian të Alepos, gjoja për të mbikëqyrur dërgesat e ndihmave. Qaani fluturoi për në Siri me një avion në pronësi të ‘Mahan’, një linjë ajrore që është sanksionuar nga SHBA për fluturimin e militantëve dhe armëve nga Irani në Siri.
Menjëherë pas vizitës së Qaanit, linja ajrore, nën maskën e dërgimit të ndihmave, filloi të transportonte sasi të mëdha armësh në Siri, sipas një operativi të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës në rajon, një këshilltari të qeverisë siriane dhe një zyrtari evropian të sigurisë.
Është e paqartë se sa armë janë kontrabanduar në territoret palestineze dhe nëse një pjesë e armëve përfundojnë në Gaza, megjithëse shumica dërrmuese që kalon përmes Jordanisë duket e destinuar për në Bregun Perëndimor, thonë zyrtarët rajonalë të sigurisë.
Ushtria izraelite vitin e kaluar tha se kishte pasur një ‘rritje të konsiderueshme’ në përpjekjet e zbuluara për të kontrabanduar armë dhe drogë në Izrael nga Jordania dhe Egjipti. Nga marsi 2021 deri në prill të këtij viti, policia izraelite pengoi të paktën 35 tentativa kontrabande nga Jordania, duke sekuestruar më shumë se 800 armë, sipas një raporti nga Instituti i Uashingtonit.
“Iranianët po investojnë shumë përpjekje për të ndezur të gjitha arenat, si në veri ashtu edhe në Bregun Perëndimor.” – tha një zëdhënës i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit.
“IDF po përforcon trupat dhe është gati për çdo gjë.”
Trafikantët në Jordani përfitojnë nga tregu i madh i zi i armëve në vend, ku armët tregtohen për rreth një të katërtën e çmimit në territoret palestineze, sipas tregtarëve të licencuar të armëve në kryeqytetin, Aman. Një automatik ‘AK-47’ shitet për 20,000 dollarë në Bregun Perëndimor dhe një automatik ‘M16’ për 30,000 dollarë, sipas një tregtari armësh në Bregun Perëndimor.
“Vendi është i mbushur me armë.” – tha një pronar dyqani armësh në qendër të Amanit. Çmimet në tregun e zi janë afërsisht të njëjta me të tijat: nga 700 dollarë për një pistolete çeke 7 mm në 4200 dollarë për një ‘Glock’ austriak.
Në maj, një ligjvënës jordanez, Imad al-Adwan, u arrestua duke u përpjekur të kontrabandonte më shumë se 200 armë zjarri, duke përfshirë 12 automatikë, përmes urës Allenby në Bregun Perëndimor. Izraeli e ekstradoi Adwan-in në Jordani, ku ai përballet me gjyq dhe rrezikon deri në 15 vjet burg. Ai dhe 13 të pandehur të tjerë pritet t’u përgjigjen akuzave në gjykatë këtë javë.
Grupet palestineze kanë ndërtuar depo të konsiderueshme armësh. Në korrik, forcat izraelite kryen sulmin e tyre më të madh në Bregun Perëndimor në dekada, duke synuar objektet e militantëve dhe depot e armëve në Jenin që i përkisnin Xhihadit Islamik Palestinez aleat të Iranit dhe Hamas-it, duke sekuestruar rreth 1000 armë dhe qindra pajisje shpërthyese. Ata gjithashtu çmontuan gjashtë objekte për prodhimin e bombave. Dymbëdhjetë palestinezë u vranë, shumica prej tyre militantë, 30 të dyshuar u arrestuan dhe qindra njerëz u zhvendosën.
Pjesë të Bregut Perëndimor kontrollohen nga Autoriteti Palestinez, i cili dominohet nga Fatah, një fraksion kundër Hamas-it dhe Xhihadit Islamik Palestinez. Në dy vitet e fundit, policia palestineze ka sekuestruar rreth 600 deri në 1000 armë në vit në Bregun Perëndimor, më shumë se dyfishi i numrit para vitit 2021, tha zëdhënësi i policisë Louay Zreikat, duke shtuar se rreth 60% e këtyre armëve përdoreshin për vetëmbrojtje ose verimtari kriminale.
Pas sulmit të Hamas-it në fillim të këtij muaji, forcat izraelite të sigurisë kanë shtuar një goditje dyvjeçare ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor dhe kolonët kanë sulmuar protestuesit dhe civilët. Të premten, 13 palestinezë u vranë në një operacion ushtarak izraelit 30-orësh kundër militantëve në kampet e refugjatëve në Tulkarem. Kjo erdhi pasi 55 persona u vranë në javën e parë pas 7 tetorit, java më vdekjeprurëse për palestinezët e Bregut Perëndimor që nga të paktën viti 2005, sipas Kombeve të Bashkuara.
Zemërimi për shtypjen dhe bombardimet në Gaza, të cilat kanë vrarë më shumë se 6,000 palestinezë, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, së bashku me një Bregun Perëndimor gjithnjë e më të armatosur, përbën një problem për Autoritetin Palestinez qeverisës, kontrolli i të cilit mbi sigurinë ka rrëshqitur nga duart, pasi grupet e reja militante janë përpjekur për pushtet dhe banorët përdorin dhunën në vend që t’u drejtohen organeve të rendit për të zgjidhur mosmarrëveshjet e brendshme.
Një tregtar armësh në Al-Ram në Bregun Perëndimor tha se ai shet qindra armë çdo muaj, kryesisht njerëzve që po organizohen për të mbrojtur fshatrat e tyre në mungesë të sigurisë së bashkërenduar palestineze.
“Ka një kërkesë të madhe në ditët e sotme,” tha ai, “por unë ju them që të gjithë ata janë shumë të rinj.”
Mungesa e një kandidati të mundshëm për të zëvendësuar 87-vjeçarin Mahmoud Abbas, popullariteti i të cilit ka kohë që po pakësohet, shton paqëndrueshmërinë në territor pasi besnikët e kandidatëve të mundshëm konkurrues po armatosen e po nxitojnë për pushtet.
Autoriteti Palestinez nuk iu përgjigj një kërkese për koment.
Horowitz tha se një ndezje e Bregut Perëndimor mund të çojë në një ‘cikël dhune’, me ushtrinë izraelite që po vendos më shumë forca dhe kolonët që kryejnë më shumë sulme hakmarrëse kundër palestinezëve.
Për Jordaninë, frenimi i rrjedhës së armëve është një detyrë herkuliane. Mbretëria është deri diku viktimë e gjeografisë së saj. Kufiri i saj i gjatë verior është kryesisht i pambrojtur në anën siriane, për shkak të mungesës së bashkëpunimit nga qeveria e Asadit, dhe kufiri i tij me Izraelin nuk mbrohet nga gardhe të konsiderueshme, duke e bërë atë një rrugë të qëndrueshme për kontrabandë në shkallë të gjerë.
Jordania këtë vit ka bërë nëntë konfiskim armësh në kufi, krahasuar me shtatë në 2022 dhe 21 në 2021, sipas zyrtarit të lartë të sigurisë.
Vite më parë, në kulmin e sundimit të ISIS-it, shumë armë të kontrabanduara në Jordani ishin të destinuara për grupet terroriste sunite, por tani ato tregtohen kryesisht për përfitime komerciale, tha Mohammad Afeef, një ish-president i Gjykatës së Sigurisë Shtetërore të Jordanisë.
Ai paralajmëroi se nëse siguria vijon të përkeqësohet, përqendrimi i lartë i armëve mund t’u shkojë për shtat me kalimin e kohës qelizave të fjetura terroriste. Kjo duhet të shqetësojë Perëndimin, tha ai.
“Jordania po luan një rol kryesor në parandalimin e kontrabandës së narkotikëve dhe armëve.” – tha Afeef.
“Është një barrë e madhe për ne.”
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Wall Street Journal
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani