Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Lindita Nikolla, është pritur në Kongresin Amerikan.
Me Kryetarin e Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Evropën, z. Thomas Kean, Jr., Nikolla diskutoi mbi mbështetjen e Kongresit dhe të Kuvendit për partneritetin strategjik mes ShBA dhe Shqipërisë, zgjerimin e marrëdhënieve mes Dhomës dhe Kuvendit, bashkëpunimin në luftën kundër terrorizmit, mbrojtjen dhe sigurinë kibernetike.
Lidershipi në KS dhe zgjedhja si anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut po rrisin prestigjin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe forcojnë partneritetin strategjik me ShBA.
Kryetarja Nikolla dhe Kryetari Kean diskutuan mbi mbështetjen e Kongresit për ndërhyrjen e komunitetit Euro-atlantik për depërshkallëzimin e situatës në Veri të Kosovës, dialogun Kosovë-Serbi si e vetmja rrugë drejt paqes, Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë si një instrument për stabilitetin në Kosovë. Shqipëria është plotësisht në një linjë me ShBA dhe BE për çështjet e mësipërme.
Gjatë takimit u diskutua mbi integrimin euroatlantik, si i vetmi destinacion i natyrshëm Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor dhe nevojën e mbrojtjes së rajonit nga influencat joperëndimore.
Shqipëria po udhëheq me sukses Procesin e Berlinit dhe po kontribuon si një faktor stabiliteti, bashkëpunimi dhe Integrimi rajonal.
Me bashkëkryetarët e Grupit të Miqësisë me Shqipërinë (Albania’s Caucus) kongresmenët Robert Aderholt dhe Jim Himes, Kryetarja Nikolla diskutoi mbi kontributin e grupeve të miqësisë për nxitjen e marrëdhënieve mes Dhomës së Përfaqësuesve dhe Kuvendit dhe mbështetjen e partneritetit strategjik dhe bashkëpunimit mes dy vendeve.
Fuqizimi i marrëdhënieve mes Dhomës së Përfaqësuesve dhe Kuvendit do të nxisë edhe bashkëpunimin mes institucioneve dhe rolin e Shqipërisë dhe shqiptarëve si faktor zhvillimi, demokratizimi, integrimi dhe sigurie në rajon.
Në takimet në Kongres Kryetarja Nikolla prezantoi edhe kërkesën e Kuvendit të Shqipërisë për tiu bashkuar programit të Dhomës së Përfaqësuesve “Partneriteti për Demokracinë.”