Vendosni fjalën kyçe....

Operacioni “Tempulli”/ Arrestohet 32-vjeçari në Tropojë për lëndë narkotike, procedohet penalisht 16-vjeçarja 


Policia e Tropojës ka sekuestruar një sasi kanabis sativa, ndërsa në pranga ka përfunduar një 32-vjeçar.

Policia lokale sqaroi se arrestimi i shtetasit është bërë në kuadër të operacionit “Tempulli”, duke sqaruar se droga është gjetur brenda një automjeti, ndërsa është proceduar penalisht edhe një 16-vjeçare që shoqëronte të arrestuarin.

Si rezultat i kontrolleve intensive në të gjithë territorin e qarkut, si dhe i hetimeve të ndjekura proaktivisht, në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, në bashkëpunim me ato të DVP Kukës, kanë konstatuar dhe goditur një tjetër rast të veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.

Në Bajram Curri, është ndaluar për kontrolle, automjeti me drejtues shtetasin A. Ç. dhe ku ishte pasagjere një 16-vjeçare. Gjatë kontrolleve, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa, 450 euro dhe 40 000 lekë që dyshohet se janë përfituar nga shitja e lëndës narkotike.

Në përfundim të veprimeve procedurale për rastin, u arrestua shtetasi A. Ç., 32 vjeç dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për 16-vjeçaren, të dy banues në Durrës.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme, thuhet në njoftimin e policisë.