Kryetarja e AMA-s Armela Krasniqi ka theksuar se ka një boshllëk ligjor për trajtimin e linçimit të gazetares Afrovita Hysaj.
Në një shënim në Facebook ajo shkruan se gjuha e përdorur nga portali 6plus1vlora.al është e papranueshme, denigruese, seksiste, banale e diskrimunuese, ndërsa dënon të gjitha komunikimet e ngjashme ndaj grave e gazetereve.
Në fund ajo nxit shoqatat e gazetarëe, grupet e interesit e çdo qytetar për harimin e nismave ligjore e rregulloreve të funksionimit të medias online.
“Konsideroj të papranueshme gjuhën e përdorur nga portali 6plus1vlora.al, ndaj gazetares Afrovita Hysaj. Dënoj me forcë çdo lloj komunikimi si ky, në të cilin një grua, një gazetare profesioniste, sulmohet duke përdorur fjalor denigrues, gjuhë seksiste, diskriminuese dhe banale. Për pikënisjen që solli këtë devijim komunikimi, sigurisht që do të vendosin organet kompetente.
Çfarë unë mund të them me bindje është, se ky është një rast flagrant i lincimit të një gazetareje, i dënueshëm, që shkel mbi dinjitetin e njeriut, lirinë e fjalës dhe çdo kod etike profesionale. Ky rast – për fat të keq, jo i vetmi – nxjerr edhe një herë në pah boshllëkun ligjor që ekziston për trajtimin e fenomeneve të tilla.
Inkurajoj dhe shpreh përkrahjen time për shoqatat e gazetarëve, grupet e interesit dhe çdo individ, në iniciativat ligjore për hartimin e rregulloreve të funksionimit të medias online, por edhe të përmirësimit akoma më tej të kuadrit ligjor ekzistues.
Uroj dhe shpreh besimin, që raste të tilla të mos përsëriten dhe çdo profesionist i medias të reflektojë mbi fenomene të tilla.” – shkruan Krasniqi.
Institucioni i drejtuar nga Krasniqi, AMA, nuk ka asnjë kompetencë mbi portalet e ndoshta ka ardhur koha që ligji të rishikohet.
Gazetarja Hysaj u linçua nga televizioni lokal në Vlorë pasi akuzohet se aludoi që në përdhunimin e 26-vjeçares disa ditë më parë në Vlorë morën pjesë 4 djem dhe jo 3 siç raportoi policia.
Pronari i televizionit 6+1 Vlora madje i ka shkruar edhe mesazh kërcënues gazetares i cili është publikuar nga media, ku shkruan: “Je në gjak me mua”.