Vendosni fjalën kyçe....

Sazani me panele fotovoltaikë, shpallet fituesi për impiantin e radarit dhe godinat


Në gusht të këtij viti, Ministria e Mbrojtjes njoftoi për një procedurë e cila synonte instalimin e impianteve fotovoltaikë në ishullin e Sazanit që do të furnizonin me energji radarin.

Së fundmi u njoftua edhe fituesi që do të bëjë zbatimin e projektit të cilit i është lënë afat total prej 12 javësh për tre pika.

Oferta fituese ka një vlerë 11.1 milionë lekë, apo rreth 104 mijë euro. Referuar njoftimit parashikohen tre njësi për instalimin e paneleve.

Për projektin “Sistemin Fotovoltaik Sazan Godinat”: afati i zbatimit të kontratës është duke nisur nga data e fillimit të punimeve me përfundim brenda shtatë javëve.

Edhe për projektin “Sistemin Fotovoltaik Sazan Radari”, afati i zbatimit të kontratës afati është 7 javë, ndërsa për projektin “Sistemin e Ndriçimit Sazan” afati i zbatimit të kontratës është duke nisur nga data e fillimit të punimeve me përfundim brenda gjashtë javëve.

 

Projekti për Sazanin

Ministria e Mbrojtjes argumentonte pak muaj më parë se ky projekt do të garantonte një sistemit autonom me panele diellore në Sazan që ka si qëllim hartimin e infrastrukturës së furnizimit me energji elektrike gjatë ditës, nëpërmjet shfrytëzimit të energjisë diellore.

“Projekti fotovoltaik i cili do të instalohet në tarracat e godinave me anë të strukturave b/a dhe konstruksioneve metalike në Sazan në kontekstin e prodhimin e energjisë nga burime alternative për furnizimin e radarit të Sazanit.

Projekti, është i përbërë nga: Projekti i piketimit dhe planifikimi; Ndërtimi i strukturave b/a dhe metalike; Projekti i shtrirjes së kanalinave dhe linjave elektrike; Ndërtimi i Paneleve elektrike dhe Inverterave; Vendosja e baterive litium; Vendosja e paneleve diellore; Testim kolaudim” thuhet në dokument.

Në dokumente specifikohej se aktualisht konsumi mesatar i energjisë elektrike tek Radari është 5-7 kWh. Pozicioni dhe vendndodhja e godinave e bën një zonë shumë të favorshme për vendosjen e paneleve diellore.

Tarracat e godinave janë aktualisht të lira dhe të pashfrytëzuara. Sipërfaqja totale e godinave ka hapësirë të mjaftueshme për mbulimin me panele diellore, për nevojat e tyre vetjake.

Sipas Ministrisë, ky projekt ka avantazhe. Së pari, pozicioni gjeografik i zonës së Sazanit e bën një zonë shumë të favorshme për të shfrytëzuar ditët e shumta me diell për prodhimin e energjisë elektrike me një kosto shumë të ulët nga panelet diellore.

Gjithashtu terreni shumë i favorshëm dhe me hapësira të mëdha të shfrytëzueshme bën të mundur prodhim energjie me një rendiment shumë të lartë. Emetimi i gazrave në hapësirë nga prodhimi i energjisë me anë të paneleve diellore është shumë i vogël.

Jetëgjatësia e madhe mbi 25 vjet e paneleve dhe nevoja shumë e vogël për mirëmbajtjen e bën këtë projekt shumë eficient dhe me leverdi” thuhej në dokument.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor