Vendosni fjalën kyçe....

Sula: Mbështes organet e drejtësisë, s’do jem mburojë e asnjë politikani


Deputeti i PD-së Dashnor Sula u shpreh kundër sulmeve ndaj SPAK-ut dhe tha se PD-ja nuk duhet të përfshihet në debatin e Berishës me prokurorinë special lidhur me dosjen e privatizimit të ish-klubit Partizani.

Gjatë intervistës demokrati tha se ai personalisht dhe deputetët e opozitës nuk do i bëhen mburojë asnjë deputeti apo politikani ndërsa theksoi se kryeministrit Rama i intereson status quo-ja pasi i ka mundur disa herë Berishën, Metën e Bashën.

“Unë vazhdoj t’i mbështes organet e drejtësisë dhe nuk jam dakord me asnjë lloj emërtimi, edhe në kohën kur Rama në Asamblenë e PS-së sulmoi SPAK-un. Jam kundër çdo lloj epiteti, çdo lloj gjuhe. Unë nuk do jem mburojë e asnjë politikani në asnjë lloj rasti. Nëse e fusim në kanalet politike, humbet sensi dhe e drejta. Mund të ketë persona të caktuar që kanë interesa të sulmojnë ndonjë politikan apo një tjetër.

Kjo nuk do të thotë që e gjithë forca politike të përfshihet në këtë debat dhe në këtë luftë. Qëndrimi i z. Bardhi dhe i joni është që nuk i bëhemi mburojë asnjë personi. Nëse nesër fillon një hetim për një politikan të opozitës që mund të ketë shkelur ligjin, atëherë nuk preket asnjëherë opozita dhe kështu që i bie që edhe pozita e sotme kur të jetë nesër në opozitë të mos preket. Nëse Berisha bën betejë për transparencë, ne duhet ta mbështesim. Rama rehat është me këtë status quo, me z.Berisha, me z. Meta dhe z. Basha, sepse i ka mundur disa herë.” – tha ai.