Sulm politik ndaj kreut të opozitës e ka cilësuar ish-kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli, hetimet e SPAK-ut ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.
Pas takimit me këtë të fundit në selinë blu, ajo tha se opozita nuk do e pranojë këtë gjë duke pohuar se po diskutohen shumë variante mbi format e reagimit.
“Po i bëjnë sulm politik kreut të opozitës. Kjo është çështje e opozitës, jo e zotit Berisha. Nuk pranohet lehtë. Ka shumë variante, të gjitha po diskutohen. Në historinë e pluralizmit shqiptar nuk do gjeni një vështirësi kaq të madhe që i bëhet opozitës aq sa PD në Shqipëri. Tentojnë ta blejnë ta asgjësojnë ose t’i godasin kryetarin.” – tha Topalli.
Ajo tha se bëhet fjalë për një betejë politike të vështirë, por të rëndësishme.
Topalli theksoi në fund se nuk ndodhur kurrë më parë që një republikë parlamentare të zëvendësohet nga një republikë prokurorësh që nuk njohin Kushtetutën.
“Kjo forcë politike gjithmonë ka gjetur kurajën për t’i qëndruar besimeve të saj. E vërteta është që kur ishte 21-shi dhe Lulzim Basha donte ta përjashtonte Berishën, tre deputetë dolën në krah të tij, Flamur Noka, Edi Paloka dhe Tritan Shehu. Të tjerët erdhën më vonë, Politika mbijeton mbi frikën. Sulmohet më i forti për të ngjallur frikë tek të tjerët. Situata është shumë e komplikuar, kjo është betejë politike, e vështirë por e rëndësishme. Është e paprecedentë që republika parlamentare të zëvendësohet me republikën e prokurorëve që nuk njohin Kushtetutën e vendit.” – shtoi Topalli.