Një ditë para vizitës së tij në Bruksel, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se takimet e planifikuara nuk janë të lehta, por Serbia është e gatshme të bisedojë për planin e ri të të dërguarve evropianë për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve.
“Kur bëhet fjalë për Serbinë, ata po trokasin në derë të hapur”, tha Vuçiç më 25 tetor për Radio Televizionin e Serbisë, përcjell REL.
Plani është prezantuar nga përfaqësuesit e BE-së, Shteteve të Bashkuara, Italisë, Francës dhe Gjermanisë, gjatë takimeve që kanë zhvilluar në Kosovë dhe Serbi më 21 tetor.
Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, janë ftuar në Bruksel më 26 tetor për takime me liderët e Bashkimit Evropian.
Liderët e Kosovës dhe Serbisë do të takohen ndaras me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, dhe kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni. Në këto takime do të marrë pjesë edhe shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell.