Delegacionet e Hamasit, por edhe të Iranit, ndodhen në Moskë për bisedime, për herë të parë që nga shpërthimi i luftës në Rripin e Gazës gati tre javë më parë.
“Mund të konfirmoj praninë e përfaqësuesve të kësaj lëvizjeje palestineze në Moskë”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Maria Zakharova, e cila konfirmoi se në vend ishte edhe zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Ali Bagheri Khani.
Zakharova nuk ka dhënë detaje të tjera për agjendën apo përmbajtjen e bisedimeve që do të kenë këto delegacione.
Sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve RIA, e cila citon një burim në delegacionin palestinez, Abu Marzouk, një zyrtar i lartë i Hamasit, është ndër të tjera në Moskë.
Zëvendësministri iranian, i cili kryeson ekipin e negociatorëve të Teheranit për programin e tij bërthamor, u takua në Moskë me homologun e tij rus Mikhail Galuzin.
Rusia mban lidhje me të gjithë lojtarët kryesorë në Lindjen e Mesme, duke përfshirë Izraelin, Iranin, Autoritetin Palestinez dhe Hamasin.
Rusia fajëson për krizën aktuale “dështimin” e diplomacisë amerikane dhe ka bërë thirrje për një armëpushim dhe rifillimin e bisedimeve për të gjetur një zgjidhje paqësore.