Seanca për ish-kryeministrin Sali Berisha është shtyrë për në orën 15:00, ndërsa pritej që të mbahej në orën 10:00. Por GJKKO i ka lënë kohë dy avokatëve të shtetit, Jalldiz Kastrati dhe Rabije Cenalia, që të të njihen me dosjen.
“Në datën 26.10.2023, ora 10.30, në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, u çel seanca gjyqësore për vijimin e shqyrtimit të kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, me objekt marrjen në pyetje të shtetasit nën hetim Sali Berisha.
Gjykata pasi verifikoi praninë e palëve, konstatoi se nuk ishte paraqitur personalisht i hetuari Sali Berisha dhe se ishin paraqitur 2 mbrojtësit e thirrur për caktim kryesisht nga gjykata, av.Jalldiz Kastrati dhe av.Rabije Cenalia. Nga ana e gjykatës, iu la kohë mbrojtësve për tu njohur me aktet e procedimit penal të fazës së hetimit paraprak, të përcjella nga ana e Prokurorisë së Posaçme dhe për këtë arsye ndërpreu shqyrtimin gjyqësor, për të rifilluar diten e sotme, në orën 15.00”, njofton gjykata.