Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi ditën e sotme pas një procesi me shtyrje të njëpasnjëshme të lërë në fuqi masat e sigurisë të kërkuara nga SPAK për ish-kryeministrin Sali Berisha lidhur me akuzat për korrupsion në çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.
Në vendimin e GJKKO-së thuhet se Berisha duhet të paraqitet dy herë në muaj në SPAK para oficerit të polcisë gjyqësore Adelajda Metaj si dhe ndalimi i daljes jashtë vendit.
“Urdhërohet shtetasi nën hetim Sali Berisha, të paraqitet të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, ora 10:00 para oficerit të policisë gjyqësore Adelajda Metaj, pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
-Urdhërohet shtetasi nën hetim Sali Berisha të mos largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë pa autorizimin e gjykatës, në referim të nenit 233 pika 1 të K.Pr Penale “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”.
-Ndalohet përdorimi i pasaportës dhe dokumenteve të tjera identifikuese të vlefshme për daljen jashtë shtetit, për shtetasin nën hetim Sali Berisha”-thuhet në vendimin e caktimit të masës së sigurisë nga GJKKO.
Seanca për njoftimin e masës së sigurisë nisi në orën 15:00. Shtyrja u bë paraditen e sotme, për t’i dhënë kohë për t’u njohur me dosjen, avokateve të zgjedhura nga shteti, Jalldiz Kastrati dhe Rabije Cenalia, pasi mbrojtësit e pajisur me prokurë nga Berisha braktisën gjykatën një ditë më parë ndërsa avokati i caktuar kryesisht, Artan Simoni u zëvendësua.
GJKKO njoftoi se zgjedhja e dy avokateve u bë pasi Berisha dhe avokatët e tij nuk janë paraqitur as ditën e sotme në seancë.
Avokati i Sali Berishës nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale akuzoi se në sallën e gjyqit prokurorët e SPAK-ut kërcënuan dy avokatet e caktuara kryesisht me heqje licence dhe më pas caktuan një avokate tjetër kryesisht e cila nuk pati kohë as të njihej me çështjen. Por kjo nuk pengoi gjykatësen e GJKKO të jepte masën e sigurisë për ish-kryeministrin.
“Dy avokatet e caktuara nga shteti kryesisht Jalldyz Kastrati dhe Rabije Cenalia nuk e morrën përsipër mbrojtjen edhe pse të shantazhuara në sallën e gjyqit nga prokuroret e SPAK për heqjen e licencës pasi kërkuan 2 ditë kohë për tu njohur me aktet dhe gjykata nuk ua dha këtë kohë! Pastaj GjKKO ka caktuar avokaten Valentina Teodoresku dhe ka shpallur vendimin pa lexuar asnjë faqe të dosjes pra pa u njohur fare avokatja me dosjen! Vendimi ka lejuar vijimin e masave të sigurimit siç ishin marrë! Ndërkohë me përpara d.m.th para 2 orësh gjyqtarja Flora Hajredinaj ka rrëzuar kërkesën tonë për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga çështja e depozituar po sot dhe e shortuar po sot!
GjKKO ka zhbërë institutin e Mbrojtjes në proces!”-shkruan ndër të tjera Gjokutaj.
Avokatët e Sali Berishës depozituan në GJKKO kërkesën me shkrim për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga gjykimi për ish-kryeministrin duke pretenduar se ajo ka shkelur Kushtetutën pasi sipas tyre duhej marrë më parë leje në Kuvend para se të jepej vendimimi “detyrim paraqitje” për Berishën. Këtë kërkesë të Berishës e ka shqyrtuar dhe rrëzuar brenda ditës gjyqtarja Flora Hajredinaj, e cila nuk e ka përjashtuar Gjokën, me argumentin se kërkesa e avokatëve të Berishës është e pabazuar.
Akuzat ndaj Berishës
Jamarbër Malltezi dyshohet se ka kryer korrupsion pasiv në bashkëpunim me vjehrrin e tij Sali Berisha, duke shfrytëzuar pushtetin e tij si kryeministër, duke përfituar nga privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, nga ndryshimi i destinacionit nga zona sportive në zona banimi, shuma të konsiderueshme në cilësinë e investuesit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar në të, si dhe përfitime të marra para se të deklarohej si bashkortak në këtë shoqëri./Hashtag.al