Vendosni fjalën kyçe....

Përdhunimi i 26-vjeçares në Vlorë, Avokati i Popullit: Organet të zbardhin rastin dhe të shpejtohen hetimet 


Institucioni i Avokatit të Popullit ka reaguar zyrtarisht mbi përdhuminim e 26-vjeçares në Vlorë, e cila u përdhunua nga disa persona dhe u la pa ndjenja.

Në reagimin zyrtar Avokati i Popullit i drejtohet organeve ligjzbatuese që ta zbardhin me përparësi rastin dhe të ndërmarrin hetime të shpejta dhe sa më efektive për vënien para përgjegjësisë të personave që e shkaktuan këtë ngjarje të dënueshme.

Gjithashtu është dënuar edhe kërcënimi i gazetares që raportoi mbi ngjarjen e rëndë në Vlorë.

Reagimi i plotë:

Avokati i Popullit ka përcjellë me shqetësim ngjarjen e ditëve të fundit të ndodhur në qytetin e Vlorës, ku është shënuar rasti i rëndë i përdhunimit të një vajze 26 vjeçare.

Referuar rrethanave të bëra publike në media kjo është një ngjarje shumë e rëndë ndaj së cilës duhet të ketë një reagim të gjerë qytetar dhe reflektim të thellë publik.

Avokati i Popullit i inkurajon organet ligjzbatuese që ta zbardhin me përparësi rastin dhe të ndërmarrin hetime të shpejta dhe sa më efektive për vënien para përgjegjësisë të personave që e shkaktuan këtë ngjarje të dënueshme.

Ndërkohë, sikurse është bërë me dije në opinionin publik, të tjera incidente janë shënuar në lidhje me këtë rast, që përfshijnë përdorimin e dhunës verbale, gjuhës denigruese dhe kërcënimit për jetën drejtuar gazetares Afrovita Hysaj, e cila ka raportuar mbi ngjarjen e rëndë.

Avokati i Popullit, dënon ashpër çdo formë që cënon lirinë e shprehjes, të cilën nuk e konsideron një privilegj por një të drejtë themelore.

Sulme të tilla në një shoqëri demokratike janë të pajustifikuara dhe cënojnë ndër të tjera kurajon profesionale për gjurmimin e së vërtetës.

Në sferën e lirisë së shprehjes, Avokati i Popullit është i angazhuar për të siguruar që kjo e drejtë themelore të mbetet e pacënuar, duke i inkurajuar të gjithë profesionistët e medias ta sfidojnë padrejtësinë dhe t’i japin zë mbrojtjes së të vërtetës.