Vendosni fjalën kyçe....

Stoku i borxhit publik zgjerohet me 138 milionë euro në 9-mujor


Situata e mirë fiskale, me të cilën ka performuar buxheti i vitit 2023 në 9-mujor nuk ka ndikuar në uljen e borxhit publik.

Të dhënat zyrtare në Ministrinë e Financave tregojnë se stoku i borxhit në vlerë u rrit me 14,4 miliardë lekë (138 milionë euro) ne janar-shtator 2023.

Gjithashtu treguesi i borxhit mbeti pothuajse i pandryshuar edhe në raport me PBB-në. Detyrimet publike arritën në 64.01 % të PBB-së në fund të 9 -mujorit nga 64.46% që ishin në fund të vitit 2022.

Në raport me vitin 2021 raporti i borxhit me PBB-në është ulur me 10 pikë për qind, por nuk ka shënuar përmirësim ne krahasim me fundin e vitit 2022, edhe pse qeveria arkëtoi të ardhura shtesë këtë vit të cilat i rialokoi në investime në infrastrukturë në aktin e fundit normativ për ndryshimin e buxhetit 2023.

Stoku i borxhit të brendshëm shënoi 34.48% të PBB, ndërsa borxhi i jashtëm shënoi rënie të lehtë duke arritur ne 29,53% të PBB-së nga 30,02 % që ishte në fund të vitit 2021.

Qeveria shqiptare harxhoi gjithsej 63,2 miliardë lekë për shërbimin e borxhit në 9- mujor nga rreth 78 miliardë lekë në të gjithë vitin 2022, nga të cilat 34 miliardë lekë ishin për interesat e borxhit dhe 28,5 miliardë lekë ishte principali.

Nga totali i interesave 23,5 miliardë lekë ose 2 të tretat shkuan për borxhin e brendshëm dhe 11,2 miliardë lekë shkuan për interesat e borxhit të jashtëm. Shpenzimet për shërbimin e borxhit arritën në 2,91 % të PBB-së.

Pesha e borxhit që maturohet brenda një viti është mbeti e lartë edhe gjatë vitit 2023 sidomos e bonove 12 mujore, teksa u vu re një rënie e emetimeve në instrumentet afatshkurtër 3 dhe 6 mujore, të cilat ishin më të zakonshme gjatë vitit 2022.

Vlera më e lartë e emetimeve ishte për obligacionin 10 vjeçar me një vlerë totale 120 miliardë lekë në 9-mujor, ndërsa vlera më e ulët e emetimeve ishte për obligacionin 15 vjeçar.

Nga pikëpamja e investitorëve, 9 mujori 2023 është karakterizuar nga një rritje e peshës së individëve dhe institucioneve jo financiare. Pavarësisht kësaj, baza e investitorëve, vijon të jetë e përqendruar në mbi 62% tek sektori bankar duke e bërë portofolin e borxhit të brendshëm të ndjeshëm ndaj risqeve sistemike që mund të paraqesë ky sektor.

Normat e interesit të borxhit nisën me rritje të shpejtë në 6 mujorin e parë, por u stabilizuan në 3 mujorin e tretë, teksa maturimi i borxhit ishte në përmirësim pas një rënie që u vu re vitin e kaluar.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor