Kreu i PD-së Basha ka pritur në zyrë zv. e Institutit Republikan Ndërkombëtar, Scott Mastic. Basha e falënderoi Mastiç-in për bashkëpunimin e mbështetjen e Institutit Republikan Ndërkombëtar për ndërtimin e kapaciteteve të PD-së e kthimin e saj në alternativë qeverisëse.
Kryedemokrati theksoi gjatë takimit prioritet e PD-së si lufta kundër korrupsionit, zgjedhjet e lira, transparenca e llogaridhënia politike dhe përfshirja e sa më shumë te rinjve dhe grave në politikë.
“Lufta ndaj korrupsionit, i cili është pengesa më e madhe për zhvillimin e vendit dhe krijimit të mundësive për të rinjtë për të ndërtuar jetën në vendin e tyre dhe jo në emigrim, është dhe prioriteti kryesore i PD.” – tha Basha.
Ai shprehu më tej mbështetjen për SPAK-un dhe angazhimin përmes nismave ligjore në parlament për të ndihmuar në luftën kundër korrupsionit, veçanërisht në nivelet më të larta.
“Paratë që u janë vjedhur shqiptarëve dhe kanë përfunduar në llogari bankare, apo janë investuar kudo nëpër botë, duhet t’u kthehen shqiptarëve.” – Basha.
Kryetari i PD i prezantoi edhe platformën për luftë kundër korrupsionit dhe për reformën zgjedhore, që iu jep qytetarëve shqiptarë mundësinë të zgjedhin dhe të përfaqësohen sipas vullnetit të tyre, lista te hapura, vetting për politikanët, votën e diasporës, presidentin nga populli.