Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Ata që nisën procesin gjyqësor ndaj meje do përballen me protesta masive


Pas 5 ditësh refuzimi për t’u paraqitur në seancë gjykata e posacme la dje në fuqi masat detyrim paraqitje dhe ndalim për të dalë jashtë shtetit për Sali Berishën.

I vendosur që të mos i bindet vendimit të gjykatës për masën e sigurisë detyrim paraqitje duke rrezikuar në këtë mënyrë edhe masë më të rëndë sigurie si arresti në shtëpi ose arrest me burg, Berisha ka zgjedhur të përdorë partinë e tij për të sulmuar vendimin e drejtësisë. Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Rithemelimit, këtë mbrëmje, Berisha thotë se përgjigjen do ta japë në ditët në vijim duke “bërë gjyq nëpër rrugët e Sjqipërisë”.

“Ata më kërkojnë të shkel kushtetutën me procedurë kushtetuese, sepse në mentalitetin e Edi Ramës, Kushtetuta nuk e mbron armikun opozitar, por mbron vetëm qeveritarët dhe deputetët e qeverisë. Ndaj kur për një deputet të qeverisë, bazuar për një dosje të ardhur nga antimafia italiane, për lidhje me klanet e trafikut të drogës, apo për vjedhje me inceneratorët etj., në përputhje me kushtetutën, skapi i partisë kërkon autorizimin e parlamentit për procedimin ndaj tyre”, tha Berisha.

“Kurse në rastin e armikut opozitar kushtetuta nuk ekziston, për armikun nuk ka kushtetutë dhe ligje që pengojnë luftën kundër tij ndaj dhe skapi dhe gjykata popullore e partisë vendos sanksione të cilat kushtetuta nuk i lejon ato pa marrë miratimin e parlamentit. Ju garantoj unë ju se ata që nisën procesin e shekullit, do të përballen me gjyqin e shekullit kundër tyre. Atë gjyq do të ua bëj në rrugët dhe sheshet e Shqipërisë, nga ai gjyq ata do të dalin të mundur siç janë”, vijoi më tej ai.