Kreu i grupit Parlamentar i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar i pas vendimit të SPAK për sekuestrimin e pronave të biznesmenit Pëllumb Gjoka, duke theksuar se vendimi e vendos Ramën në pozitën e një kryeministri që ka abuzuar rëndë me pushtetin.
Reagimi i plotë:
Sekuestrimi i pronave të disa investitorëve strategjikë e vendos Edi Ramën në pozitën e një kryeministri që ka abuzuar rëndë me pushtetin. Përveç miqësisë me Kryeministrin, qartësisht duket se kriteri mbi të cilin Edi Rama i ka shpallur investitorët strategjikë ka qenë grabitja e pronave publike e private prej tyre!
Një kryeministër i ndershëm nuk mund të shpallë investitorë strategjikë persona që kanë përfituar pronat në Bregdet përmes falsifikimit. Një kryeministër i ndershëm nuk mund të shpallë investitorë strategjikë trafikantë droge dhe porositës vrasjesh me pagesë.
Tani bëhet krejt e qartë arsyeja përse Edi Rama dhe maxhoranca e tij refuzuan ngritjen e Komisionit Hetimor për investimet strategjike. Shumë prej tyre nuk kanë të bëjnë me zhvillimin, por me pastrimin e parave nga punët e pista. Me këto para kanë blerë edhe falsifikimin e pronave, ku kanë ngritur dhe po ngrenë perandorinë e krimit dhe të korrupsionit.
Mbi këto vendime, Edi Rama ka vendosur firmën e tij dhe nuk duhet të jetë e largët dita, kur ai do të duhet të përballet me drejtësinë.