Shqipëria për herë të parë ka planifikuar që në projektbuxhetin e vitit 2024 vlerën prej 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto ta vendosë në dispozicion të mbrojtjes, në kuadër të angazhimeve të saj në Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO).
Kjo u bë e ditur këtë të premte nga Ministri i Ekonomisë dhe Financave të Shqipërisë, Ervin Mete, në një deklaratë për mediat, shkruan ABC News.
“Respektohet niveli i kërkuar lidhur me angazhimet e anëtarësimit në NATO, me 2% të PBB-së në vitin 2024 dhe kjo arrihet për herë të parë”, tha Mete.
Viti 2024 ishte një objektiv i vënë nga Shqipëria dhe siç duket tashmë janë pjekur kushtet ekonomike për të rritur buxhetin sa i takon mbrojtjes.
Sipas të dhënave nga faqja zyrtare e NATO në 2021-shin, vetëm 9 nga 30 vendet anëtare e kishin plotësuar kushtin e të shpenzuarit 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen, ndërsa pjesa tjetër ishte ende në fazë premtimi.