Vendosni fjalën kyçe....

Ushtria izraelite thotë se po e zgjeron aktivitetin në Gazë


Ushtria izraelite ka thënë të premten se forcat e saj tokësore do ta “zgjerojnë aktivitetin” në Rripin e Gazës, teksa ushtria përgatitet për pushtim të plotë tokësor në këtë territor të rrethuar.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, ka thënë se sulmet tokësore i kanë në shënjestër tunelet e Hamasit dhe shënjestra tjera.

“Përveç sulmeve që i kemi kryer në ditët e fundit, forcat tokësore janë duke e zgjeruar aktivitetin këtë mbrëmje”, ka thënë ai.

“Ushtria izraelite është duke vepruar me forcë të madhe për t’i arritur synimet e luftës”.

Izreli i ka mbledhur qindra mijëra ushtarë afër kufirit me Gazën, para ofensivës që pritet ta nisë kundër grupit militant palestinez, Hamas.

Pjesërisht apo plotësisht grupi konsiderohet terrorist nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe disa vende tjera.

Në deklarimin e së premtes, ushtria izraelite u ka bërë sërish thirrje banorëve të qytetit të Gazës që të shpërngulen në jug, për shkak të zgjerimit të operacionit ushtarak.

Agjencia e lajmeve AFP ka raportuar për shpërthime të fuqishme në Gazë në mbrëmjen e së premtes.

Sipas kësaj agjencie, pjesa më e madhe e Rripit të Gazës ka mbetur pa internet.

Mbi 1.4 milion njerëz në Gazë kanë ikur prej shtëpive të tyre, dhe gjysma besohet se janë nëpër shatorret e Kombeve të Bashkuara.

Qindra mijëra njerëz vazhdojnë të qëndrojnë në veri të Gaza, pavarësisht thirrjeve të Izraelit për t’u evakuuar.

Banorët në Gazë kanë mbetur pa ushqim, ujë dhe ilaçe.

Kombet e Bashkuara e kanë përshkruar situatën humanitare si të rëndë.

Izraeli e ka bombarduar Rripin e Gazës prej 7 tetorit, ditën kur Hamasi ka kryer sulme në tokën izraelite, duke i lënë të vdekur 1.400 persona.

Grupi militant i ka marrë edhe 200 pengje, disa prej tyre foshnje.

Ministria e Shëndetësisë në Gazë ka thënë se mbi 7.000 persona janë vrarë si pasojë e sulmeve izraelite, por shifra nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektualen e REL.