Rreth 250 elefantë afrikanë u vranë nga neurotoksina të prodhuara nga algat mikroskopike që ata i morën duke pirë nga pellgje të mëdha uji, ka vërtetuar një grup ndërkombëtar shkencëtarësh.
Cyril Taolo, zëvendësdrejtori i Departamentit të Kafshëve të Egra dhe Parqeve Kombëtare të Botsvanës, zbuloi se cianobakteret ishin shkaku i ngordhjes gjatë një konference për shtyp të hënën.
Ai hodhi poshtë mundësinë që njerëzit të ishin shkaku i vdekjeve, dhe në vend të kësaj fajësoi ndryshimet në mjedis.
“Nuk ka absolutisht asnjë arsye për të besuar se ka pasur përfshirje njerëzore në këto vdekje. Kjo nuk është një dukuri që sapo u pa tani, është diçka që ndodh shumë kur ka këto ndryshime mjedisore.” – shpjegoi Taolo.
Një bakter i njohur si takson 45 i Pasteurella Bisgaard, i cili çoi në helmim të gjakut, u identifikua gjithashtu në analizat e më shumë se 30 elefantëve që ngordhën në rrethana të ngjashme në Zimbabve.
Roy Bengis, një specialist i kafshëve të egra në Universitetin e Pretorias në Afrikën e Jugut, i cili më pare ka shërbyer si veterineri kryesor shtetëror në Parkun Kombëtar Kruger, tha se ishte gjithashtu e mundur që elefantët të kishin thithur neurotoksinën përmes lëkurës së tyre.
Kafshët priren të pinë sasi të mëdha uji, por gjithashtu kalojnë shumë kohë në të, duke u rrotulluar në baltë dhe duke spërkatur veten, shpjegoi ai.
Shkencëtarët kishin kërkuar për gjurmë cianidi, i cili zakonisht përdoret nga gjuetarët për të vrarë elefantët, por asnjë nuk u gjet në trupat e pajetë ose pranë gropave të ujit. Elefantët e ngordhur kishin ende dhëmbët e tyre, gjë që përjashtoi mundësinë e gjuetisë pa leje.
Gjithsej 350 elefantë ngordhën në mënyrë misterioze në Botsvanë në vitin 2020, dhe 35 të tjerë ngordhën në rrethana të ngjashme në Zimbabve. Elefantët e të dy gjinive dhe të të gjitha moshave u prekën.
Deri më sot, në Savanën afrikane kanë mbetur rreth 350,000 elefantë. Megjithatë, gjuetia pa leje po rezulton në zvogëlimin e popullatave të elefantëve me 8% në vit në kontinent.