Shefja e FMN-së për Shqipërinë, Anke Weber, gjatë konferencës për shtyp ditën e sotme me ministrin e Financave dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, u shpreh se forcimi i monedhës kombëtare të vednit tonë ka ardhur si pasojë e zhvillimit të turizmit.
“Vlerësimi i lekut ka pasur një ndikim të mirë sepse ka përmirësuar nivelin e jetesës. Kemi bërë një studim për kursin e këmbimit në Shqipëri dhe rezulton me zhvillimin e turizmit. Sa i takon krizës së jetesës që është një krizë globale dhe Shqipëria është prekur dhe ne e kemi studiuar, ne kemi sugjeruar që të jepet mbështetje për shtresat në nevojë”, u shpreh Weber.
Nga ana e tij, shefi i Bankës Qendrore, Gent Sejko tha se kursi i këmbimit ka një regjim të ri dhe faktorët që e përcaktojnë janë kompleks, por nënvizoi se ka ardhur në linjë me rritjen ekonomike të vendit.
“Në një regjim të lirë të kursit të këmbimit askush nuk mund të thotë se si do të jetë. Kjo varet nga kërkesa në treg. Ajo që kemi parë ka ardhur në linjë me rritjen ekonomike. Edhe ky mbiçmim është në linjë me rritjen e fondamentit. Kjo tregon qartë hyrjet valutore. Nëse ekonomia shqiptare do të vazhdojë rritjen dhe shpresoj që kjo të ndodhë, atëherë edhe kursi i këmbimit mund të vazhdojë në këto fondamente dhe mund të jetë edhe më i fortë. Kursi i këmbimit është kompleks. Konkretisht nuk mund të përjashtohen faktorët e tjerë që vijnë nga tregjet ndërkombëtare. Nuk mund ta përcaktojmë dot se do të mund të përkeqësonim tregun”, shtoi ai.
I pyetur për diversifikimin e ekonomisë duke mos u përqendruar vetëm tek turizmi, Weber tha se FMN e ka këshilluar qeverinë shqiptare për këtë, por nënvizoi se turizmi tanimë nuk është vetëm sezonal.
“Me këto zhvillime që kemi parë, kemi vënë re që turizmi nuk është më sezonal por gjatë gjithë vitit. Duke marrë parasysh bukuritë e vendit tuaj, mendoj se turizmi do të mbetet një burim i rritjes ekonomike. Megjithatë, ne si FMN duhet diversikuar rritja ekonomike”, deklaroi ajo.