Vendosni fjalën kyçe....

I kërkuar nga drejtësia italiane për vjedhjen e disa adoleshentëve, arrestohet në Laç 22-vjeçari


Policia ka arrestuar shtetasin Daniel Gjoni, i kërkuar nga drejtësia italiane, pasi në muajin gusht të vitit 2023, në Cassano d’Adda dhe Vaprio d’Adda, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, u kanë vjedhur shuma parash disa adoleshentëve  duke përdorur dhunë ndaj tyre si dhe ka rrëmbyer një shtetas dhe kanë kërkuar një shumë të madhe eurosh, në këmbim të lirimit të tij.

22-vjeçari i cili fshihej në qytetin e Laçit, pritet të ekstradohet në Itali.

Në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga njësia speciale për kapjen e shtetasve në kërkim “FAST Albania”, njësi në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, bazuar në inteligjencën policore, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kurbin, u bë kapja e shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar, 22 vjeç, banues në Laç.

Pas verifikimeve të kryera ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, u bë arrestimi i 22-vjeçarit, me qëllim ekstradimin e tij drejt Italisë.

Më datë 29.09.2023, ky shtetas është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, për veprat penale “Rrëmbim personi” dhe “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim, në mënyrë të përsëritur, pasi Gjykata e hetimeve paraprake në Milano, Itali, ka caktuar për këtë shtetas, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale të sipërcituara.

Ky shtetas në muajin gusht të vitit 2023, në Cassano d’Adda dhe Vaprio d’Adda, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, u kanë vjedhur shuma parash disa adoleshentëve  duke përdorur dhunë ndaj tyre.

Gjithashtu, kanë rrëmbyer një shtetas dhe kanë kërkuar një shumë të madhe eurosh, në këmbim të lirimit të tij.

Interpol Tirana vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë”- njofton policia.