Teksa në pjesën më të madhe të vendit ullinjtë kanë patur prodhim të pakët, diçka e tillë nuk ka ndodhur në Lezhë.
Tashmë është sezoni i vjeljes në fshatin Troshan, një ndër zonat e njohura për kultivimin e ullirit. Prodhimi është i bollshëm këtë vit, por problem për fermerët mbetet mungesa e punëtoreve për vjeljen e tyre, pasi të rinjtë kanë emigruar.
‘Po unë i kam ndejt gati me spërkatje dhe me ujitje. Jam i kënaqur me prodhimin, por nuk ka kush e vjel. Të rinjtë kanë ikur në emigrim”, tha fermeri Gjon Lazri.
Ndërsa fermeri, Preç Ndoj komenton mungesën e prodhimit ne zona te tjera.
“Kam dëgjuar për ata që ankohen se s’ka prodhim por kjo vjen nga mungesa e shërbimeve. kur nuk e sheh pemën për 12 muaj dhe shkon veç në vjeshtë për ta vjel, ai nuk bën kokrra. Ne jemi të kënaqur me prodhimin sepse ne i bëjmë shërbim të vazhdueshëm”.
Falë prodhimit të bollshëm, çmimi i vajit të ullirit mbetet i njëjtë me vitin e kaluar. Aktualisht po tregtohet nga 400 deri në 600 lek për litër, në varësi të cilësisë.
Kultivimi i ullinjve në Troshan të Lezhës është një tradite e hershme, ku numërohen rreth 50 mije rrënjë.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Shqiptarja.com