Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ka folur së fundmi për çështjet e pronave, për të cilat tregoi se në institucionin që ai drejton janë rreth 14 mijë dosje dhe se në stokun e Gjykatës së Lartë janë rreth 25 mijë dosje.
Sadushi tha se rreth 2 mijë nga këto dosje janë padi të individëve ndaj organeve shtetërore.
Ai tha se pavarësisht numrit të lartë të stokut, ai është optimist.
Në intervistën me Anila Hoxhën ai theksoi se këto dosje janë ndarë për shqyrtim midis Kolegjit Civil dhe Kolegjit Administrativ, shkruan CNA/CNA.
“Në fakt, për pronat i kemi të ndërthurura sepse çështjet e pronave duhen parë në dy drejtime. Çështjet e pronave që është në konflikt shteti dhe çështjet e pronave që janë ndërmjet individëve. Nëse do të fokusohemi te çështjet me konflikt me palë të paditur organet shtetërore që janë të ndara midis Kolegjit Civil dhe Kolegjit Administrativ shkojnë përafërsisht rreth 2000 çështje. Ndërkohë që një pjesë e konsiderueshme është një mosmarrëveshje që krijojnë midis vetë individëve.
Kjo është në fakt një shifër shumë e lartë duke menduar që pjesa më e madhe në konfliktet në fushën civile janë rreth 14 mijë në tërësinë e tyre ku përfshihen edhe konfliktet familjare, konfliktet tregtare etj. E zënë konfliktet e pronës”, u shpreh kreu i Gjykatës së Lartë.
“Stoku i Gjykatës së Lartë është i lartë. Duke u nisur nga momenti kur ne filluam detyrën në vitin 2020 që gjetëm 36 mijë dosje tashmë jemi goxha optimist sepse ky numër është ulur ndjeshëm dhe ka arritur në rreth 25 mijë.
Duke menduar që Gjykata e Lartë nuk ka qenë funksionale në tërësinë e saj me gjyqtarë, por ka qenë pjesërisht dhe nga viti në vit është plotësuar, tashmë kemi arritur numrin e plotë prej 18 gjyqtarësh. Kjo ulje e ndjeshme është për t’u mbajtur në konsideratë, sepse tregon trendin që me këtë ritëm ndoshta për pak vite do të kemi një ulje shumë të theksuar të numrit”, u shpreh ai