Vendosni fjalën kyçe....

4 banorë të zonës sherr të ashpër me 4 përfaqësues të kishës në Kepin e Rodonit për pronën


Një  përplasje e fortë ka ndodhur në zonën e Kepit të Rodonit mes disa banorëve të fshatit Shetaj dhe përfaqësuesve të Kishës Katolike.

Sipas policisë, nga përplasja e dhunshme janë lënduar disa nga personat e përfshirë.

Gjithçka ka ndodhur teksa katër përfaqësuesit e kishës po rrethonin një pronë, për të cilën kishin certifikatë pronësie, të cilën pretendonin se e kishin edhe banorët e përfshirë në përplasje.

Pas mjekimit në spital ata janë shoqëruar në polici për t’u pyetur  mbi rrethanat e përplasjes.

Njoftimi

“Në zonën e Kepit të Rodonit, disa banorë të fshatit Shetaj, konkretisht shtetasit B. K., E. R., Y. R. dhe O. R. janë konfliktuar me sende të forta, me përfaqësues të kishës katolike, shtetasit N. S., M. F., M. L. dhe P. D.

Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se konflikti ka nisur gjatë kohës kur përfaqësuesit e kishës katolike po bënin rrethimin e pronës për të cilën kanë certifikatë pronësie. Banorët e zonës nuk i kanë lejuar që të bëjnë këtë rrethim pasi edhe ata kanë një certifikatë pronësie, që pretendojnë se e kanë po për këtë pronë. Konflikti midis këtyre shtetasve ka agravuar me përdorimin e sendeve të forta, pas konfliktit me grushte.

Në vendngjarje është gjetur dhe 1 gëzhojë arme zjarri. Si pasojë e konfliktit me sende të forta kanë pësuar dëmtime të lehta disa nga shtetasit e përfshirë në konflikt, të cilët pasi kanë marrë ndihmë mjekësore, janë shoqëruar bashkë me shtetasit e tjerë të përfshirë në konflikt, me qëllim kryerjen e veprimeve për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për sqarimin dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit të sotëm. Sqarojmë se në lidhje me pretendimet e palëve për certifikatën e pronësisë, nga ana e Policisë janë referuar disa herë materialet në Prokurori, për konfliktet që ka patur herë pas here, mes palëve.”