Kandidati i koalicionit opozitar për Bashkinë Himarë në zgjedhjet vendore të 14 majit Fredi Beleri ka denoncuar Gjykatën e Lartë, se po mbron të korruptuarit.
Beleri, i cili ndodhet në burg pas arrestimit dy ditë para zgjedhjeve pasi akuzohet për blerje votash, deklaron se edhe pse kanë kaluar 30 ditë nga vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës dërguar Gjykatës së Lartë për shqyrtim, kjo e fundit nuk ka ende një vendim, edhe pse e ka detyrim të shprehet brenda 5 ditësh.
Çështja e dërgua për shqyrtim ka të bëjë me interpretimin nga Gjykata e Lartë të gjykatës kompetente që duhet të shqyrtojë kërkesën e Belerit për t’u pajisur me autorizim apo leje për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës.
“Edhe pse kanë kaluar gati 30 ditë nga vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës që dërgoi për shqyrtim në Gjykatën e Lartë me qëllim interpretimin se cila është Gjykata kompetente për të shqyrtuar kërkesën time për tu pajisur me leje /autorizim të veçantë me qëllim kryerjen e betimit, nuk ka ende asnjë përgjigje apo datë gjykimi. Ndonëse çështja është regjistruar në Gjykatën e Lartë në datën 16.10.2023 dhe kjo Gjykatë ka për detyrë të shprehet brenda 5 ditëve për të përcaktuar gjykatën kompetente që do të shqyrtojë kërkesën time për dhënien e lejes /autorizimit të veçantë për t’u betuar si Kryetar i Bashkisë Himarë, me indiferentizëm ekstrem, Gjyqtari Relator mban të bllokuar çështjen.” – shkruan Beleri.
Beleri i cili u shpall fitues në zgjedhjet e 14 majit shton më tej se zvarritja e paprecedentë nuk ka asnjë referencë ligjore ndërsa akuzon gjyqtarët se po anashkalojnë afatet procedural e po deformojnë ligjin.
“Këto zvarritje të pa precedent me pasoja shumë të rënda për Komunitetin e Himarës, zgjedhësit dhe banorët që presin ndryshimin në qeverisjen lokale, e shprehur kjo me vullnet të lirë nëpërmjet votës, po mbahet peng pa asnjë referencë ligjore. Këta gjyqtarë që neglizhojnë afatet procedurale dhe deformojnë ligjin, për fat të keq të ndodhur edhe në majën e sistemit të drejtësisë në Shqipëri si anëtarë të Gjykatës së Lartë, në fakt janë duke i zgjatur jetën Kryetarit të Bashkisë më të korruptuar dhe të urryer nga populli i Himarës në 30 vite pluralizëm.” – shton Beleri.
Në fund ai thekson se vonesat në dosjen e tij si dhe vendimet e pabazuara në ligj kanë vetëm një shpjegim duke akuzuar segmente të drejtësisë se janë vënë në shërbim të politikës në mbrojtje të sistemit të korruptuar të qeverisjes vendore në Himarë.
“Këto “harresa” me dosjen time, përfshirë këtu edhe vendimet e mëparshme krejtësisht absurde dhe te pa bazuara në ligj, në kundërshtim me parimet bazë të sanksionuara në Kushtetutë ku Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit dhe populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërdrejtë, vendime që më kanë mohuar të drejtën që sovrani ma ka dhënë me votë, kanë vetëm një shpjegim: segmente të drejtësisë janë vënë në shërbim të politikës dhe në mbrojtje të sistemit të korruptuar të qeverisjes lokale në Himarë. Dua t’ju kujtoj të gjithëve ju se kjo beteje ligjore nuk është për mua si individ e as për postin e Kryetarit të Bashkisë, por për Himarën, votën e lirë dhe demokracinë!” – mbyll deklaratën Beleri.