Një ngjarje shumë e rëndë ka ndodhur në mbrëmjen e djeshme në kampionatin britanik të hokej. Amerikani 29-vjeçar Adam Xhonson, ka humbur jetën pas një incidenti të tmerrshëm gjatë sfidës. Lojtari i Notingam Panters u përplas me një kundërshtar të Shefilld Stilers dhe menjëherë ra në tokë, pasi u godit në fyt nga pjesa e mprehtë e patinës. Ai tentoi të ngrihej duke gjakosur.
Situata u duk menjëherë alarmante dhe atij iu dha ndihma e parë, ndërsa rrethohej nga të gjithë lojtarët e tjerë të dëshpëruar. Ai u dërgua më pas në spital me urgjencë, ndeshja u braktis dhe 8 mijë tifozët e pranishëm u larguan nga salla duke shpresuar për lajme të mira. Por më pas u bë e ditur nga vetë klubi i Notingam se Xhonson, ish-lojtar edhe në NHL në SHBA, ishte ndarë nga jeta pasi nuk i kishte mbijetuar plagës që kishte pësuar, shkruan Daily Mail.