Mijëra njerëz hynë në depot e ndihmave në Gaza për të marrë ushqime dhe “artikuj bazë të mbijetesës”, në shenjë dëshpërimi në rritje tre javë pas fillimit të luftës midis Izraelit dhe militantëve të Hamasit, tha të dielën një agjenci e Kombeve të Bashkuara.
Tanket dhe këmbësoria u futën në Gaza gjatë fundjavës, ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, njoftoi një “fazë të dytë” të luftës, tre javë pasi Hamasi kreu një ndërhyrje brutale në Izrael. Ofensiva e zgjeruar tokësore po ndodhë ndërsa Izraeli vazhdon bombardimet e territorit nga ajri, toka dhe deti.
Bombardimet, që u përshkruan nga banorët e Gazës si më intensivet të luftës, shkatërruan shumicën e komunikimeve në territor të premten vonë, duke shkëputur 2.3 milionë banorët e enklavës së rrethuar, nga pjesa tjetër e botës.
Komunikimet u rikthyen për shume banorë të Gazës herët të dielën, sipas kompanive lokale të telekomit, grupit të mbrojtjes së qasjes në internet NetBlocks.org dhe pohimeve të njerëzve në terren.
Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë, e njohur si UNRWA, ofron shërbime bazë për qindra mijëra njerëz në Gaza. Shkollat e saj në gjithë territorin janë shndërruar në strehimore të mbushura me palestinezë të zhvendosur. Izraeli ka lejuar vetëm një hyrje të vogël ndihme nga Egjipti, një pjesë e të cilave ishin ruajtur në një nga magazinat që u thyen, tha UNRWA.
Thomas White, drejtori i agjencisë në Gaza, tha se hyrjet në depo ishin “një shenjë shqetësuese se rendi civil po fillon të rrënohet pas tre javësh lufte dhe një rrethimi të rreptë në Gaza. Njerëzit janë të frikësuar, të frustruar dhe të dëshpëruar”, tha ai.
Banorët që jetojnë pranë spitalit Shifa, më i madhi në Gaza, thanë se sulmet ajrore izraelite gjatë natës së të dielës goditën pranë kompleksit spitalor dhe bllokuan shumë rrugë që të çojnë në spital. Izraeli akuzon Hamasin se ka një qendër të fshehtë komanduese poshtë spitalit, pa dhënë shumë prova.
Dhjetëra mijëra civilë janë strehuar në Shifa, i cili është gjithashtu i mbushur me të plagosur nga sulmet.
Izraeli thotë se shumica e banorëve i kanë ndjekur urdhrat e tij për të ikur në jug, por qindra mijëra mbeten në veri, pjesërisht për shkak se Izraeli ka bombarduar gjithashtu objektiva në të ashtuquajturat zona të sigurta.
Një sulm ajror izraelit goditi një shtëpi dykatëshe në qytetin jugor Khan Younis të dielën, duke vrarë të paktën 13 persona, përfshirë 10 nga një familje. Trupat u sollën në spitalin Nasser aty pranë, sipas një gazetari të agjencisë së lajmeve Associated Press në vendngjarje.
Ushtria izraelite nuk bëri asnjë koment të menjëhershëm kur u pyet për raportet për sulme pranë Shifas. Ushtria tha se kishte goditur mbi 450 objektiva të militantëve gjatë 24 orëve të fundit, duke përfshirë qendrat komanduese të Hamasit, postat e vëzhgimit dhe pozicionet e lëshimit të raketave kundër tankeve.
Ushtria tha gjithashtu se më shumë forca u dërguan në Gaza gjatë natës.
Ushtria publikoi kohët e fundit pamje të krijuara nga kompjuteri që tregonin ato që tha se ishin instalimet e Hamasit në dhe përreth spitalit Shifa, si dhe marrjen në pyetje të luftëtarëve të kapur të Hamasit, të cilët mund të kishin folur nën trysni. Izraeli ka bërë pretendime të ngjashme edhe më parë, por nuk i ka vërtetuar ato.
Pak dihet për tunelet e Hamasit dhe infrastrukturën tjetër, dhe pretendimet nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur. Qeveria e Hamasit i hodhi poshtë akuzat si “gënjeshtra” dhe tha se ato ishin “një pretekst për goditjen” e spitalit.
Përshkallëzimi rriti trysninë e brendshme ndaj qeverisë izraelite për të siguruar lirimin e rreth 230 pengjeve të kapur me 7 tetor, kur luftëtarët e Hamasit nga Gaza shpërthyen mbrojtjen e Izraelit dhe sulmuan qytetet aty pranë, duke vrarë civilë dhe ushtarë në një sulm të befasishëm.
Familjarë të dëshpëruar u takuan me kryeministrin Netanyahu të shtunën dhe shprehën mbështetje për një shkëmbim me të burgosurit palestinezë që mbahen në Izrael.
Udhëheqësi i lartë i Hamasit në Gaza, Yehia Sinwar, tha se militantët palestinezë “janë gati menjëherë” për të liruar të gjithë pengjet nëse Izraeli liron të gjithë mijëra palestinezët e mbajtur në burgjet e tij. Admirali Daniel Hagari, një zëdhënës ushtarak izraelit, e hodhi poshtë ofertën si “terror psikologjik”.
Me gjithë ofensivën izraelite, militantët palestinezë kanë vazhduar të hedhin raketa drejt Izraelit.
Numri i të vdekurve në Gaza u rrit të shtunën në më shumë se 7,700 veta që nga fillimi i luftës, me 377 vdekje të raportuara që nga e premtja vonë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës. Shumica e të vrarëve janë gra dhe të mitur, tha ministria.
Izraeli thotë se sulmet e tij synojnë luftëtarët dhe infrastrukturën e Hamasit dhe se militantët veprojnë mes civilëve, duke i vënë ata në rrezik.
Më shumë se 1.4 milionë njerëz në të gjithë Gazën janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre, gati gjysma e grumbulluar në shkollat dhe strehimoret e OKB-së, pas paralajmërimeve të përsëritura nga ushtria izraelite se ata do të ishin në rrezik nëse do të qëndronin në Gazën veriore.
Termocentrali i vetëm i Gazës u mbyll menjëherë pas fillimit të luftës dhe Izraeli nuk ka lejuar hyrjen e karburantit, duke thënë se Hamasi do ta përdorë atë për qëllime ushtarake.
Spitalet po luftojnë të mbajnë në punë gjeneratorët e urgjencës që vënë në funksion inkubatorët dhe pajisjet e tjera shpëtimtare, dhe agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë po përpiqet gjithashtu të mbajë në punë pompat e ujit dhe furrat e bukës për të përmbushur nevojat thelbësore.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e VOA.