Numri i të vdekurve nga uragani Otis, një stuhi e kategorisë 5 që goditi qytetin turistik meksikan të Paqësorit, Acapulco, është rritur në 43, tha Guvernatorja e Guerreros, Evelyn Salgado në një postim në mediat sociale.
Që nga e shtuna, qeveria meksikane kishte raportuar 39 vdekje dhe 10 persona të zhdukur.
Ajo shtoi se energjia elektrike ishte rivendosur në rreth 60 për qind të Acapulco-s dhe se zyrtarët kishin vizituar 10,000 familje në Acapulco dhe qytetin e afërt të Coyuca de Benitez për një regjistrim për të vlerësuar dëmet.
“Këto kanë qenë ditë intensive të punës pa ndërprerje,” tha Salgado, duke vënë në dukje se zyrtarët po punonin për shpërndarjen e ndihmave.
Banorët në zonat ende të përmbytura kanë kritikuar mungesën e ndihmës së qeverisë dhe shumë njerëz janë ende në kërkim nga familjarët, pasi humbën kontaktet kur stuhia goditi të mërkurën.
Me erëra deri në 266 km/orë, uragani Otis përmbyti qytetin, shkatërroi shtëpi, dyqane dhe hotele dhe ndërpreu komunikimet.