Seanca e sotme plenare në Kuvend nisi sërish me tensione pas ndërprerjes prej disa minutash.
Gazment Bardhi akuzoi kryeparlamentaren Nikolla se ka futur prej tre javësh Kuvendin në ngërç.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi ka marrë fjalën në parlament duke u shprehur se kurrë në historian e kuvendit nuk është parë që mazhoranca të votoi për të hequr të drejtat e opozitës.
Fjala e plotë e Gazment Bardhit që do mbante në Parlament:
Prej tre javëve mazhoranca socialiste e ka futur Kuvendin e Shqipërisë në ngërç, duke pamundësuar funksionimin normal të tij. Me veprime të paprecedenta, duke nisur nga sjellja juaj znj. Kryetare, dhe më pas me votime antikushtetutese, ju keni marrë vendimin për të asgjesuar opozitën në Parlament. Kurrë në historinë e ketij Parlamenti nuk ka ndodhur që Kryetarja e Kuvendit të shndërrojë veten në specialiste arkive të një partie, duke injoruar Kushtetutën dhe Rregulloren e Parlamentit.
Kurrë në historinë e këtij Parlamenti nuk ka ndodhur që Kryetarja e Kuvendit të hedh në votim të drejtat e opozitës dhe kundërshtari politik të ketë votuar për ti asgjesuar ato. Kurrë në historinë e këtij Parlamenti nuk ka ndodhur që të votohet pa i dhënë as të drejtën e fjalës opozitës për të sqaruar kërkesat e saj. Kurrë në historinë e këtij Parlamenti nuk ka ndodhur që mazhoranca ti diktojë opozitës se me kë dhe si duhet të përfaqësohet në Komisionet Parlamentare.
Kurrë në historinë e këtij Parlamenti nuk ka ndodhur që mazhoranca të rrëzojë brenda një viti 8 kërkesa për Komision Hetimor, pa dhënë asnjë shpejgim, pa bërë asnjë përpjekje për të gjetur konsensus. Kurrë në historinë e këtij Parlamenti nuk ka ndodhur që 31 deputetë të opozitës të përjashtohen pse nuk pranojnë poshtërimin që po tenton ti bëjë mazhoranca. Kurrë. Pse e bëni ju këtë se jeni të fortë, jeni shumicë në popull, jeni duke qeverisur mirë? Jo! E bëni sepse jeni të mbuluar çdo ditë nga skandalet dhe doni të shuani edhe zërin e opozitës në Parlament.
Jua kemi bërë të qartë. Ne duam që Parlamenti të funksionojë normalisht. Por kjo nuk varet vetëm nga ne. Kjo varet nga ju. Hiqni dorë nga aktet e provokimit ndaj opozitës. Respektoni të drejtat e saj kushtetuese. Hiqni dorë nga sjellja sikur mandatet tona parlamentare i kemi dhuratë nga ju. Mandatet kjo pjesa këtëj i ka fituar me sakrificë, duke patur përballë jo thjesht ju, por bandat më të rrezikshme të krimit të organizuar që ju na i vutë përballë. Hiqni dorë nga loja për të mos e lejuar opozitën të përmbush misionin e saj në një shoqëri demokratike.
Për cfarë kanë reaguar deputetët e opozitës? E keni pyetur ndonjëherë veten kolegë? Po ti znj. Kryetare e ke pyetur njëherë veten pse deputetët e opozitës janë ngjitur atje lart tek vendi juaj, për të mos ju lejuar të bëni ju detyrën tuaj.
Sepse ju znj. Kryetare nuk po na lejoni ne të bëjmë detyrën tonë. E sa kohë ju i njihni vetes të drejtën që të mos lejoni opozitën të bëjë e qetë punën e saj, si mund të pretendoni që ne tju lëmë të qetë të bëni punën tuaj.
Për cfarë jemi detyruar ne të mos lejojmë funksionimin normal të Parlamentit. 3 gjera krejtësisht minimaliste.
Së pari, Ju znj. Kryetare duhet të ndërprisni menjëherë ndërhyrjen në punët e brendshme të grupit parlamentar të PD. Respektoni Rregulloren e Parlamentit. Respektoni vullnetin e deputetëve të opozitës. Respektoni opozitën, nëse dëshironi që ne tju respektojmë si Kryetare e Parlamentit. Nëse ju keni vendosur ta trajtoni veten si specialiste arkiv protokolli, atëherë nuk mund të qëndroni e ulur në karrigen e Kryetares së Kuvendit.
Së dyti, lejoni më shumë se 50 deputetë të opozitës të përzgjedhin përfaqësuesit që ata dëshirojnë në Komisionet Parlamentare. Është e drejta e tyre të caktojnë përfaqësuesit që dëshirojnë. Është e drejta e opozitës të bëjë betejat e veta për të cuar përpara reformat që janë në interes të qytetarëve. Pa asnjë ndërhyrje nga ana juaj. Pa asnjë diktim nga ana juaj. Kam dëgjuar kolegun Çuçi të thotë se reforma zgjedhore qënka cështje e partive politike. Jo i nderuar koleg. Reforma Zgjedhore është cështje e qytetarëve, jo e partive politike. Dhe vullnetin e qytetarëve, përfshirë edhe të partive si pjesë e shoqërisë, e përfaqësojnë në këtë sallë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë.
Komisioni është Komision Parlamentar dhe jo Komision apo Këshill i Partive Politike. Ndryshimet ligjore miratohen nga Kuvendi. Kjo është shkresa e datës 7 Qershor 2022, sesi janë caktuar përfaqësuesit e opozitës në Komisionin e Reformës Zgjedhore. Pse doni ju ta ndryshoni praktikën parlamentare? Sepse nuk ju duhet opozita në Reformë? Më vjen keq por kjo nuk varet nga ana juaj. Kjo nuk është e drejta juaj. Kjo nuk është një cështje ku vota juaj duhet ta përcaktojë. Kjo është një e drejtë e opozitës dhe ju duhet ta respektoni.
Së treti, lejoni 45 deputetët e opozitës të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues për kontroll ndaj Qeverisë. Ngritja e Komisioneve Hetimore është e drejtë kushtetuese e opozitës. Nuk jeni dakord me objektin, bëni propozim alternativ, sic Gjykata Kushtetuese ka theksuar në dhjetra vendime të saj. Po ju nuk mund të grisni Kushtetutën. Ju nuk mund të asgjesoni funksionet kushtetuese të opozitës.
Ju nuk mund të pengoni opozitën të hetojë shqetësimin për ndërhyrjet e paligjshme në Sistemin TIMS. Ajo cështje ka të bëjë me respektimin e të drejtës së qytetarëve për mbrojtjen e të dhënave të tyre personale. Ju nuk mund të pengoni opozitën të hetojë shqetësimin mbi 4 kontratat koncesionare në shëndetësi. Ajo cështje ka të bëjë me shëndetin e qytetarëve dhe me përdorimin me eficencë të parave publike. Ju nuk mund të pengoni opozitën të hetojë vendimmarrjet në kushtet e konfliktit të interesit. Ajo çështje ka të bëjë me abuzimet me pronat publike, me abuzimet me fondet e buxhetit të shtetit, ka të bëjë me mbrojtjen e interesit publik.
E në këtë drejtim kolegë të mazhorancës, nëse doni të bëni punën tuaj, duhet të na lejoni ne deputetët e ozpotës të bëjmë punën tonë. Sa kohë nuk e bëni këtë, ju keni asgjesuar opozitën në Parlament, dhe përmes saj keni asgjesuar vetë Parlamentin. Prandaj znj. Kryetare ju kërkoj të ndërprisni seancën plenare, të mblidhni veten, të reflektoni dhe ti krijoni hapësirën opozitës të bëjë punën e saj, të respektoni opozitën, dhe të na jepni mundësinë që edhe ne tju respektojmë, edhe ne tju krijojmë hapësirën që ju të bëni punën tuaj. Në të kundërt, ju po asgjesoni mundësinë e bashkëjetesës normale në këtë sallë mesa shumicës dhe pakicës parlamentare. Dhe përgjegjësia për këtë është vetëm e juaja.