Vendosni fjalën kyçe....

Basha takime në Fushë-Krujë: Në krah të çdo sipërmarrësi të ndershëm, PD bashkëpunim me ekspertët më të mirë të botës së biznesit


Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në vijim të turit të tij, është ndalur ditën e sotme në Fushë Krujë.

Basha ka takuar qytetarë e ka biseduar me sipërmarrës, duke u shprehur mbështetjen e PD-së dhe se kjo forcë politike po bashkëpunon me ekspertët më të mirë të botës së biznesit.

Sot më herët Basha e nisi ditën me një kafe pune me strukturat e degës së PD në këtë Njësi Administrative.

“Kafe pune në Fushë-Krujë me strukturat e Partisë Demokratike, për të vijuar turin tonë derë më derë pranë njerëzve. Vëmendja jonë, energjia jonë, përkushtimi ynë është vetëm te qytetarët, jo te telenovela politike, që i shërben halleve të pak politikanëve”, – shkruan Basha.

Gjatë ditës Basha takoi dhe bisedoi me  qytetarë dhe sipërmarrës të vegjël të cilët folën për problemet e nevojat që kanë.

“Ata kërkojnë që politika të kthehet në shërbim të tyre, për një qeveri që ua lehtëson punën dhe vepron në mbështetje të shumicës së ndershme të qytetarëve, jo të klientëve dhe monopolistëve të zakonshëm që i kanë marrë frymën ekonomisë”, – shkruan kryetari i PD në rrjetet sociale pas takimit.

Sipas Bashës kjo qasje politike pasqyrohet edhe në projektbuxhetin e qeverisë, që sipas tij pikë referimi vijon të ketë interesat e një grushti të vogël njerëzish, jo ato të qytetarëve.

“Partia Demokratike është në krah të çdo sipërmarrësi të ndershëm dhe po bashkëpunon me ekspertët më të mirë të botës së biznesit, akademikët dhe këshilltarët tanë nga vendet partnere, për të ndërtuar alternativën ekonomike për të cilën Shqipëria ka nevojë”, – shprehet Basha.

Për kryetarin e PD,  lufta ndaj monopoleve dhe korrupsionit është e vetmja rrugë për të çliruar energji më ekonomi.