Vendosni fjalën kyçe....

FIFA e pezullon për tri vjet ish-presidentin e Federatës së Futbollit të Spanjës


FIFA e ka pezulluar të hënën nga sporti për tri vjet ish-presidentin e Federatës së Futbollit të Spanjës, Luis Rubiales, për shkak të sjelljes së pahijshme në finale të Kupës së Botës së Grave, ku ai e kishte puthur me forcë në buzë një futbolliste gjatë ceremonisë së trofeut.

FIFA nuk publikoi hollësi rreth vendimit të cilin e morën gjykatësit e komisionit të saj disiplinor, pasi i kishin hetuar akuzat në lidhje me “rregullat themelore të sjelljes së mirëfilltë” dhe “sjelljen në një mënyrë e cila e njollos sportin e futbollit dhe vetë FIFA-n”.

Rubiales është duke u hetuar edhe për vepër penale në Spanjë në lidhje me puthjen e Jenni Hermosos në buzë, pasi Spanja e mundi 1:0 Anglinë më 20 gusht në Australi, për ta fituar Kupën e Botës.

Ai i ka mohuar të gjitha akuzat në gjykatën e Madridit, e cila e urdhëroi atë të mos e kontaktojë Hermoson, përcjell REL.

Pas përfundimit të ndeshjes në Australi, Rubiales i kishte kapur organet gjenitale si shenjë festimi për fitoren në një tribunë të veçantë të stadiumit ku ndodheshin edhe Mbretëresha e Spanjës, Letizia, dhe vajza e saj 16-vjeçare, Princesha Sofia.

Fillimisht, FIFA e pezulloi përkohësisht nga detyra Rubialesin menjëherë dhe e përmendi edhe një incident të tretë të tij – “bartjen e lojtares spanjolle Athenea del Castillo mbi supe gjatë festës pas ndeshjes”.

Pas tri javëve këmbëngulje, Rubiales dha dorëheqje si shef i futbollit spanjoll si pasojë edhe e rritjes së trysnin nga Qeveria e Spanjës dhe lojtarët e ekipit kombëtar.

Rubiales u detyra, po ashtu, të heqë dorë nga posti i zëvendëspresidentit të UEFA-s, shtëpisë së futbollit evropian, nga e cila paguhej 250 mijë euro në vit.