Vendosni fjalën kyçe....

Gjermania i bën thirrje Izraelit të mbrojë palestinezët nga dhuna e kolonëve


Gjermania dënoi sot dhunën e kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor dhe i kërkoi qeverisë izraelite të marrë masa për të mbrojtur palestinezët nga sulmet e dhunshme, raporton Anadolu.

Duke folur në një konferencë shtypi në Berlin, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Sebastian Fischer tha se Gjermania mbështet të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje kundër grupit palestinez Hamas, por qeveria e Tel Avivit duhet gjithashtu të kundërshtojë dhunën e kolonëve ekstremistë.

“Ne dënojmë qartë sulmet dhe dhunën nga kolonët kundër komuniteteve palestineze”, tha Fischer, duke shtuar se këto sulme në territoret e pushtuara kanë marrë shumë jetë javët e fundit.

“Ne po i bëjmë thirrje Izraelit që të mbrojë palestinezët nga aktet e kolonëve ekstremistë dhe të sigurojë që ata që janë përgjegjës të sillen para drejtësisë”, theksoi ai.

Sulmet e kolonëve izraelitë kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar janë rritur që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor.

Që atëherë, kolonët kanë kryer 280 sulme kundër civilëve palestinezë, duke vrarë të paktën shtatë persona deri më tani, sipas burimeve palestineze.

Metodat e përdorura nga kolonët ekstremistë në këto sulme variojnë nga gjuajtja me municion të vërtetë deri te rrahja, gurëzimi i automjeteve dhe sulmi ndaj shtëpive, familjeve dhe fermerëve.