Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu kërkoi një ndjesë të rrallë të dielën, e cila padashur krijoi krizën politike që e ka përfshirë.
Disa orë më parë, duke u përballur me kritika në rritje për sulmet e Hamas-it që vranë 1,400 izraelitë, ai fajësoi publikisht për dështimet e sigurisë, shërbimet e mbrojtjes dhe inteligjencës të Izraelit. Ai nuk ishte paralajmëruar për qëllimin e Hamas-it për të nisur një luftë, shkroi ai në një postim në X, duke thënë se zyrtarët e mbrojtjes dhe inteligjencës kishin ‘vlerësuar se Hamas-i ishte i frenuar’.
Menjëherë pas kësaj, ai e fshiu postimin në X dhe kërkoi ndjesë.
Përmbysja e pazakontë tregon pozicionin gjithnjë e më të vështirë të Netanyahut. Gjatë 35 viteve në politikë, ai ka kultivuar një shëmbëlltyrë si një skifter sigurie i ashpër ndaj dhunës palestineze dhe i gatshëm për të përballuar kërcënimin e një Irani bërthamor. Kjo shëmbëlltyrë u shkatërrua më 7 tetor kur më shumë se një mijë militantë të Hamas-it hynë në Izrael në atë që shumë izraelitë e quajnë dështimi më i keq i sigurisë dhe inteligjencës në historinë e tij 75-vjeçare.
Tani ai përballet me një akt të çmendur ekuilibrues që kërkon që ai të shpjegojë dështimet e sigurisë së vendit; të fillojë një luftë me Hamas-in në Rripin e Gazës; të kërkojë të kthejë pengjet e mbajtura nga grupi; dhe të mbajë së bashku koalicionin e tij mes kritikave në rritje për sulmet e 7 tetorit. Edhe nëse Izraeli fiton luftën, mund të mos shpëtojë karrierën e tij politike.
Ndryshe nga shumë drejtues të kohës së luftës, Netanyahu po përpiqet të mbledhë publikun në anën e tij. Izraelitët e kanë fajësuar atë në eulogjitë për të vdekurit; Ministrat e tij janë thirrur jashtë spitaleve dhe janë publikuar fotografi të bojës së kuqe të lyer në selinë e partisë së tij Likud për t’u dukur si gjak.
Anëtarët e Likud-it që folën me The Ëall Street Journal shmangën kritikat publike të kryeministrit, duke thënë se vendi duhej të përqendrohej fillimisht në mposhtjen e Hamas-it përpara se të niste të vlerësopnte se çfarë shkoi keq dhe kush ishte fajtori për 7 tetorin.
Një zyrtar i lartë i Likud tha se fati i Netanyahut varet nga mënyra se si do zhvillohet lufta me Hamas-in, por ai nuk ka gjasa të mbijetojë si lider i partisë, dhe kështu si kryeministër.
“Është fundi i lojës për të”, tha zyrtari.
“Do të gjeni shumë pak njerëz që do thoshin ndryshe.”
Një zyrtar i lartë izraelit tha se kryeministri është “plotësisht i përqendruar në fitimin e kësaj lufte. Ai nisi misionin dhe po drejton misionin, që është të shpërbëjë Hamas-in”.
Qasja prej dekadash e Netanyahut ndaj Hamas-it është tani nën një shqyrtim të veçantë.
Në përgjigje të postimit të Netanyahut në X të dielën, partneri i tij i koalicionit të ekstremit të djathtë, Itamar Ben-Gvir, shkroi në X se dështimi për sulmet nuk ishte një keqkomunikim në fillim, por një “keqkuptim i plotë” mbi frenimin e Hamas-it.
Llogaritja e Hamas-it
Netanyahu u bë për herë të parë kryeministër në vitin 1996, duke shërbyer vetëm një mandat, përpara se të rizgjidhej në vitin 2009 me një mandat për të trajtuar sfidat e sigurisë dhe ekonominë. Hamas-i dy vjet më parë kishte marrë kontrollin e Gazës nga Autoriteti Palestinez i njohur ndërkombëtarisht dhe Netanyahu u paraqit me sfidën për të menaxhuar atë që Izraeli e konsideronte një organizatë terroriste në oborrin e tij.
Në opozitë, Netanyahu kishte paralajmëruar publikisht se Gaza do shndërrohej në “Hamastan” nën drejtimin e Iranit. Por kur u bë kryeministër, ai zgjodhi të mos shkonte në enklavën palestineze me ushtarë për të çarmatosur grupin.
Ndërsa disa anëtarë të institucionit të sigurisë izraelite u përpoqën të çmilitarizonin Hamas-in, Netanyahu zgjodhi të ndiqte një strategji për të lejuar Hamas-in të qeverisë në Gaza dhe të qëndronte i armatosur duke u përpjekur ta pengonte atë nga dhuna, sipas Uzi Arad, këshilltar i sigurisë kombëtare i Izraelit nën Netanyahu nga viti 2009 deri në 2011.
Politika vijoi edhe kur Izraeli luftoi përbplasje të vogla me Hamas-in në Gaza. Në shpërthimin më të madh mes dy palëve në vitin 2014, Izraeli dërgoi trupa në Gaza për të shkatërruar një rrjet tunelesh të krijuar nga Hamas-i për të sulmuar Izraelin, por qeveria u përmbajt nga një ofensivë më e gjerë tokësore për të rrëzuar grupin.
Institucioni i sigurisë mbështeti kryesisht politikën për të frenuar Hamas-in. Por Netanyahu ishte gjithashtu i gatshëm të lejonte Hamas-in të armatoste dhe të sundonte Gazën, thanë ekspertët politikë izraelitë, sepse ai ndau udhëheqjen palestineze midis brezit dhe Bregut Perëndimor, të kontrolluar nga Autoriteti Palestinez.
Kjo e bëri të pamundur një marrëveshje paqeje në të cilën Izraeli u detyrua të hiqte dorë nga pjesë të Bregut Perëndimor, gjë që qetësoi partnerët e tij të koalicionit të krahut të djathtë që kundërshtuan një rezultat të tillë, thanë disa analistë politikë.
Zyrtarët e sigurisë “kanë folur vimimësisht për nevojën për të forcuar Autoritetin Palestinez më të moderuar…për t’i forcuar ata në kurriz të Hamas-it”, tha Yohanan Plesner, president i Institutit të Demokracisë së Izraelit, një institut kërkimor me bazë në Jerusalem.
Por, tha ai, Netanyahu e pa “si një rezultat mjaft të dëshirueshëm që të ketë dy entitete të veçanta politike që përfaqësojnë popullin palestinez”.
Në deklaratat publike, Netanyahu ka thënë se Autoriteti Palestinez, i udhëhequr nga presidenti Mahmud Abbas, nuk mund të konsiderohet një partner për paqen, sepse ndërsa e njeh Izraelin, nuk e njeh Izraelin si shtëpinë e popullit hebre dhe nuk është i përfshirë në mënyrë konstruktive në bisedimet e paqes. Udhëheqja palestineze thotë se Netanyahu shton kushte që synojnë të pengojnë negociatat e paqes.
Rikthimi politik
Duke filluar nga viti 2019, Netanyahu u shfaq më i përqendruar në raunde të përsëritura zgjedhjesh sesa në trajtimin e Hamas-it. Asnjë parti politike izraelite nuk mund të merrte vota të mjaftueshme për të zotëruar parlamentin, duke çuar në një ngërç të gjatë.
Për një çast, u duk se karriera e Netanyahut kishte përfunduar. Ai u përball me një gjyq për akuza për korrupsion – të cilat ai i mohoi – dhe u largua nga qeveria në vitin 2021 nga një koalicion i ndryshëm partish që ranë dakord, përveçse donin që Netanyahu të largohej. Ajo çoi në një bazë jopopullore për qeverisje dhe në fund të vitit të kaluar, Izraeli votoi në zgjedhjet e tij të pesta në katër vjet.
Netanyahu doli përsëri fitues, por vetëm pasi tërhoqi së bashku një koalicion ultranacionalist dhe partish fetare me një shumicë prej 64 vendesh në një parlament me 120 vende. Ata përqendruan burimet e qeverisë dhe ushtrisë në mbrojtjen e kolonëve hebrenj në Bregun Perëndimor dhe nxitën për reformën shumë të diskutueshme të sistemit gjyqësor.
Qindra mijëra izraelitë protestuan kundër lëvizjeve, duke kërcënuar se do kundërshtojnë të shërbejnë si rezervistë në ushtri dhe duke nxitur ndërhyrjen e ushtrisë.
“Netanyahu ka qenë një drejtues i rrethuar për dy deri në tre vitet e fundit”, tha Arad, i cili është kthyer në një kritik të zëshëm të ish-shefit të tij.
“Ai mbijetoi dhe madje fitoi zgjedhjet, por kjo u bë kundër një lëvizjeje të madhe protestash…duke dobësuar pozitën e tij.”
Në prag të sulmeve të 7 tetorit, perspektiva dukej më e ndritshme për Netanyahun. Ai kishte ndjekur me sukses një politikë të kërkimit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me kombet arabe, pjesërisht, tha ai, për të margjinalizuar palestinezët dhe për të ushtruar presion mbi ta për të pranuar një marrëveshje të ardhshme paqeje me Izraelin.
Përpara një fjalimi të Netanyahut në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork më 22 shtator, Princi i Kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman tregoi se vendi i tij – ekonomia më e madhe arabe dhe shtëpia e vendeve më të shenjta të Islamit – po shkonte drejt vendosjes së lidhjeve me Izraelin.
“Shikoni se çfarë ndodh kur ne bëjmë paqe midis Arabisë Saudite dhe Izraelit, e gjithë Lindja e Mesme ndryshon,” tha Netanyahu duke treguar një hartë.
“Ne sjellim mundësinë e mirëqenies dhe paqes në gjithë këtë rajon.”
7 tetori
Në mëngjesin e 7 tetorit, teksa militantët palestinezë u tërbuan nëpër jugun e Izraelit, duke vrarë qytetarët izraelitë, Netanyahu heshti dukshëm për disa orë. Në mesditë, ai lëshoi një deklaratë video, i veshur me një kostum dhe këmishë të bardhë, duke thënë se Izraeli ishte “në luftë”.
Më vonë atë ditë, ai u takua me liderin e opozitës, Yair Lapid të Yesh Atid, rreth krijimit të një qeverie të unitetit kombëtar të partive kryesore për të udhëhequr vendin përmes luftës. Lapid tha publikisht se i kërkoi Netanyahut të largonte partnerët e tij të ekstremit të djathtë nga koalicioni si kusht për krijimin e një qeverie të unitetit kombëtar.
“Netanyahu tha jo, që do të thotë se ai tashmë po mendon se si ta mbajë këtë shumicë të bashkuar për ditën pas luftës”, tha Reuven Hazan, në departamentin e shkencave politike në Universitetin Hebraik të Jerusalemit.
Netanyahu në vend të kësaj solli Benny Gantz të Partisë së Unitetit Kombëtar, i cili tha se do t’i bashkohej një qeverie pa detyruar asnjë parti të largohej.
Menjëherë pas sulmeve, zemërimi publik kundër ministrave të Netanyahut shpërtheu.
“Ju e keni shkatërruar këtë vend! Dilni nga këtu!” i bërtiti një mjek ministres së Mjedisit Idit Silman jashtë një spitali, sipas një video të postuar në internet.
Pamjet u shfaqën si në internet ashtu edhe në hapësirat publike të fytyrës së Netanyahut të mbuluar me një dorë të kuqe të gjakosur, një kopje e posterave të krijuar nga ukrainasit me fytyrën e presidentit rus Vladimir Putin.
Netanyahu vizitoi trupat që mobilizoheshin për luftë, këtë herë i veshur me një këmishë të zezë dhe parzmore, në vend të një kostumi të hekurosur. Kur udhëheqësi izraelit u takua dhe bëri foto me njësinë e forcave speciale, të quajtur ‘Sayeret Matkal’, në të cilën shërbente Netanyahu, disa kundërshtuan të qëndronin në këmbë ndërsa ai doli nga dhoma, pavarësisht urdhrave nga oficerët e tyre për të qenë të respektueshëm, sipas një personi në njësi.
Më 14 tetor, ai udhëtoi për në Kibbutz Be’eri, ku autoritetet zbuluan më shumë se 100 trupa, në një vizitë që zemëroi banorët që tashmë ishin evakuuar dhe menduan se ai shkoi për të bërë një foto propagande në shtëpitë e tyre me shpenzimet e tyre.,tha zëdhënësi i komunitetit, Alon Pauker.
“Z. Kryeministër, dil para shtypit dhe kërko falje për mijëra njerëz që u vranë nën ruajtjen tënde,” i tha Shirel Hogeg një stacioni televiziv nga një qendër mjekësore ku anëtarët e familjes së tij po trajtoheshin për djegie pasi militantët e Hamas-it i vunë flakën shtëpisë së tyre.
Së shpejti, kreu i ushtrisë izraelite mori publikisht përgjegjësinë për sulmet. Po kështu, edhe shefi i shërbimeve të sigurisë së brendshme dhe disa nga ministrat e Netanyahut. Por lideri mbeti i heshtur për përgjegjësinë për shkeljen e sigurisë, pavarësisht se ishte kryeministër për rreth 13 nga 14 vitet e fundit.
Në një sondazh, katër nga pesë izraelitë thanë se Netanyahu duhet të pranojë përgjegjësinë. Një sondazh i veçantë në gazetën Ma’ariv tregoi një kolaps në numrin e vendeve parlamentare që Likud i Netanyahut do fitonte në zgjedhje, që do të thotë se do largohej nga pushteti nëse një votim do mbahej tani.
Tensionet u shfaqën midis Netanyahut dhe ministrit të tij të mbrojtjes Yoav Gallant për mënyrën se si t’i përgjigjen sulmeve.
Të dy burrat bënë deklarata publike individualisht dhe jo së bashku. Marrëdhëniet personale ishin acaruar pasi Netanyahu shkarkoi Gallant-in në mars për kundërshtimin e ministrit të Mbrojtjes ndaj rishikimit gjyqësor për arsye sigurie.
Më 25 tetor, pas disa ditësh kritikash publike për dështimin për të marrë përgjegjësinë për sulmet, Netanyahu në një fjalim tha se pas luftës, të gjithë do të duhet të përgjigjen për dështimet, “përfshirë edhe mua”.
Kryeministra të tjerë sakrifikuan punën e tyre pjesërisht për shkak të gabimeve të mëdha të sigurisë ose luftërave të dështuara, duke përfshirë Golda Meir pas sulmit të befasishëm nga forcat arabe në 1973 dhe Menachem Begin në 1983 pas një konflikti të zgjatur në Liban.
Më 28 tetor, Netanyahu për herë të parë që nga sulmet e 7 tetorit mbajti një konferencë shtypi dhe lejoi t’i bëheshin pyetje, këtë herë së bashku me Gallant dhe Gantz.
Në orët e para të mëngjesit të nesërm, ai shkroi mesazhin e tij në X që dukej se fajësonte institucionin e sigurisë për dështimet.
Gantz i kërkoi kryeministrit të tërhiqte deklaratën. Në mënyrë të pazakontë, Netanyahu kërkoi falje publike.
Ehud Yaari, një bashkëpunëtor në Institutin e Uashingtonit për Politikën e Lindjes së Afërt dhe komentator i mirënjohur politik izraelit, tha se Netanyahu nuk do e merrte kurrë përgjegjësinë për sulmet dhe në vend të kësaj do përpiqej të merrte meritën për një konflikt të suksesshëm me Hamas-in në mënyrë që të qëndronte në pushtet.
“Ai është plotësisht i përkushtuar – jo vetëm tani, por prej një kohe tashmë – për mbijetesën e tij politike dhe personale,” tha Yaari. “Kjo do të bëhet e shëmtuar.”
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e WSJ
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani