Vendosni fjalën kyçe....

Ukraina thotë se ka rrëzuar 12 dronë të Rusisë


Trupat ruse kanë kryer sulme të reja gjatë natës ndaj Ukrainës, duke përdorur 12 dronë sulmues të llojit Shahed, njoftoi Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase më 30 tetor. Ushtria tha se të gjithë dronët “janë shkatërruar nga sistemet e mbrojtjes kundërajrore”.

Ushtria ukrainase tha se në 24 orët paraprake janë zhvilluar afër 60 beteja në vijat e frontit në Kupjansk, Limansk, Avdijivka, Marinsk, Shahtarsk dhe Zaporizhja.

“Si rezultat i sulmeve, fatkeqësisht, ka të vdekur dhe të plagosur në mesin e civilëve”, u tha në njoftimin e Shtabit të Përgjithshëm.

Sipas Ukrainës, Rusia ka sulmuar ndërtesa dhe infrastrukturë civile të cilat janë shkatërruar ose dëmtuar.

“Në drejtim të Bahmutit [në lindje të Ukrainës], armiku pa sukses tentoi të rimerrte pozicionet e humbura afër Andrijivkës. Forcat ukrainase vazhduan operacionet e tyre sulmuese në jug të Bahmutit, duke i shkaktuar humbje në njerëz dhe pajisje armikut”, shtoi ushtria ukrainase.

Ditë më parë, Instituti amerikan për Studime të Luftës raportoi se trupat ukrainase kanë përparuar afër Bahmutit dhe kanë vazhduar operacionet e tyre sulmuese në jug të rajonit të Zaporizhjës.

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në fund të shkurtit të vitit të kaluar. Aktualisht, Ukraina po vazhdon kundërofensivën e saj në jug dhe lindje të shtetit me qëllim që të largojë trupat ruse nga territoret e pushtuara.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e REL.