Borxhi i huaj i nënshkruar i patërhequr arriti mbi 1 miliard euro në 9-mujorin 2023 duke u rritur me 39% nga fundi i vitit 2022 dhe nivelin më të lartë që nga viti 2015.
Huamarrja e huaj për të cilën është negociuar dhe firmosur, por ende nuk është disbursuar ka arritur në 17% të stokut të borxhit të jashtëm.
Të dhëna më të detajuara nga Ministra e Financave tregojnë se, nga shuma totale, gati gjysma 518 milionë euro është borxh shumë palësh i nënshkruar me bankat e zhvillimit.
Në këtë kategori vlera më e madhe e borxhit të pa -tërhequr i përket IBRD (Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim) me 242,2 milionë euro ose 24% të totalit. EBRD (Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim) është dyta për vlerën e borxhit të nënshkruar dhe të pa-tërhequr me 139 milionë euro ose 13,5% të totalit.
Borxhi dy palësh i nënshkruar dhe të pa-tërhequr, që janë marrëveshje të qeverisë shqiptare me shtetet është gjithsej 606 milionë euro. Nga kjo shumë huadhënësi më i madh është Gjermania me 336 milionë euro me rreth 33% të totalit. Franca me 123 milionë euro, Arabia Saudite me 73,6 milionë euro, Italia me 44,5 milionë euro dhe Japonia me 16 milionë euro.
Kreditë që ofrohen nga bankat dhe shtetet e huaja zakonisht janë në bazë të marrëveshjeve që parashtrojnë kushte për palën humarrëse, të cilat nëse nuk plotësohen e bëjnë të papërdorshme kredinë.
Të dhënat zyrtare në Ministrinë e Financave tregojnë se stoku i borxhit në vlerë u rrit me 14,4 miliardë lekë (138 milionë euro) ne janar-shtator 2023. Gjithashtu treguesi i borxhit mbeti pothuajse i pandryshuar edhe në raport me PBB-në. Detyrimet publike arritën në 64.01 % të PBB-së në fund të 9 -mujorit nga 64.46% që ishin në fund të vitit 2022.
Stoku i borxhit të brendshëm shënoi 34.48% të PBB, ndërsa borxhi i jashtëm shënoi rënie të lehtë duke arritur ne 29,53% të PBB-së nga 30,02 % që ishte në fund të vitit 2021.
Qeveria shqiptare harxhoi gjithsej 63,2 miliardë lekë për shërbimin e borxhit në 9- mujor nga rreth 78 miliardë lekë në të gjithë vitin 2022, nga të cilat 34 miliardë lekë ishin për interesat e borxhit dhe 28,5 miliardë lekë ishte principali.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor