Vendosni fjalën kyçe....

Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai pjesë e delegacionit të SPAK-ut në Washington, takime me DASH dhe agjentët e FBI-së


Një grup i zyrtarëve të lartë të SPAK ku mes tyre dhe kreu i këtij institucioni, Altin Dumani ndodhen këtë javë në Uashington, DC, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në një vizitë studimore. 

Kujtojmë këtu që vizita e 10 zyrtarëve të SPAK për në Washington, DC ishte paralajmëruar ditën e djeshme.

Pjesë e delegacionit është edhe Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai, prokurorët të cilët  po hetojnë dosjen e Sali Berishës dhe dhëndrit Jamarbër Malltezi për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.

Të udhëhequr nga anëtarët e ekipit të Zyrës për Zhvillimin, Ndihmën dhe Trajnimin e Prokurorisë Jashtë Vendit të Ambasadës së SHBA në Tiranë (OPDAT), zyrtarët e SPAK-ut zhvilluan takime dhe me drejtuesit kryesorë të Departamentit të Drejtësisë nga OPDAT dhe Programit Ndërkombëtar të Ndihmës për Trajnimin për Hetimet Penale (ICITAP).

Gjithashtu Prokurorët e SPAK diskutuan dhe mbi sfidat e sigurisë me Shërbimin Marshall të Shteteve të Bashkuara, i cili mbron gjyqtarët, prokurorët, stafin e gjykatës dhe dëshmitarët federalë të Amerikës, informoi sot (31 tetor) ambasada amerikane përmes një postimi në facebook.

Pritet që vizita të përfshijë takime me Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Departamentin e Drejtësisë, Administratën kundër Narkotikëve (DEA) dhe Byronë Federale të Hetimit (FBI).